Aksident tragjik në aksin Divjakë-Çermë, humb jetën një 39-vjeçar, plagosen katër të tjerë
Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Divjakë-Çermë, pranë fshatit Çermë Shkumbin. Dy automjete janë përplasur fort kokë më kokë me njëra-tjetrën, duke shkaktuar një bilanc tragjik.
Nga goditja e fortë midis dy makinave ka ndërruar jetë në vendngjarje një 39-vjeçar me inicialet B.C. Katër personat e tjerë që udhëtonin në mjetet e përfshira në aksident kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve të siguruara në terren, gjendja e të lënduarve paraqitet e qëndrueshme. Ambulanca i ka dërguar të lënduarit në spitalin e Lushnjës për mjekim.
“Katër të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën,” bëri të ditur gazetarja e RTSH 24 gjatë raportimit të saj.
Hetimet për shkaqet e aksidentit
Forcat e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar trafikun e bllokuar dhe për të kryer ekspertizën rrugore. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur punën në bashkëpunim me organin e akuzës për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
KOHA JONË SONDAZH

