Aksident tragjik në bypass-in e Vlorës, humb jetën një person, tre të plagosur
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar në bypass-in e Vlorës, pranë zonës së Kaninës.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë tre automjete, të cilat janë përplasur me njëra-tjetrën. Për shkak të përplasjes së fortë, një furgon dhe një automjet janë përfshirë nga flakët, duke u shkrumbuar pothuajse plotësisht.
Viktima ndodhej në një automjet tip BMW. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se personi, rreth 40 vjeç, ka mbetur i bllokuar brenda mjetit dhe për pasojë ka humbur jetën. Për shkak të dëmtimeve të shumta dhe deformimit të automjetit nga goditja, trupi i viktimës ka mbetur për një kohë të gjatë brenda mjetit.
Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë, duke punuar për prerjen e llamarinave dhe nxjerrjen e trupit të pajetë.
Ndërkohë, tre persona të tjerë të plagosur janë transportuar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit fatal
KOHA JONË SONDAZH

