Aksidentet rrugore në korrik/ 235 viktima, 26% më shumë se një vit më parë

Një tjetër aksident i rëndë u regjistrua më 22 korrik në Tiranë, kur një kamion pompë betoni që po lëvizte nga Farka në drejtim të TEG-ut përfundoi poshtë mbikalimit, në anën tjetër të rrugës. Ngjarja është vetëm një prej episodeve tragjike që shënuan muajin korrik në rrugët e vendit. Të dhënat e Policisë së Shtetit, të përpunuara nga INSTAT, tregojnë se gjatë korrikut 2026 u regjistruan 165 aksidente rrugore, ndërsa 235 persona humbën jetën ose mbetën të plagosur.

Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, situata paraqitet dukshëm më e rënduar. Në korrik 2025 u shënuan 131 aksidente dhe 194 persona të aksidentuar. Kjo do të thotë se brenda një viti numri i aksidenteve u rrit me 34 raste, ose rreth 26%, ndërsa numri i personave të vrarë dhe të plagosur u shtua me 41, me një rritje prej rreth 21%.

Shifra e 165 aksidenteve e rendit korrikun 2026 ndër muajt e korrikut me numrin më të lartë të ngjarjeve rrugore në vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm korriku i vitit 2024 ka regjistruar një numër më të lartë, rreth 170 aksidente. Një vit më pas, në korrik 2025, shifrat ranë në 131 raste. Rritja vjen në një periudhë kur rrugët e vendit përballen me fluks të shtuar automjetesh për shkak të sezonit turistik. Lëvizjet intensive në akset kombëtare, veçanërisht gjatë muajve të verës, shtojnë edhe rrezikun për aksidente.

Swiss Digital Desktop Reklama

Problematika nuk kufizohet vetëm te muaji korrik. Për shtatë muajt e parë të vitit 2026, numri i aksidenteve rrugore është rritur me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet dhe përdorimin e teknologjisë për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve, përmes radarëve dhe mjeteve inteligjente. Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar edhe zgjerimin e sistemeve të monitorimit përmes projektit “Smart City”, me synimin për të ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Objektivi i deklaruar është përgjysmimi i aksidenteve rrugore deri në vitin 2030. Megjithatë, rritja e regjistruar gjatë këtij viti tregon se rruga drejt këtij synimi mbetet e gjatë dhe kërkon masa më efektive për sigurinë në rrugë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?