Aksidentet rrugore në korrik, INSTAT tregon rritje të shifrave: 235 viktima dhe të plagosur
Një tjetër aksident i rëndë u regjistrua më 22 korrik në Tiranë, kur një kamion pompë betoni që po lëvizte nga Farka në drejtim të TEG-ut përfundoi poshtë mbikalimit, në anën tjetër të rrugës. Ngjarja është vetëm një prej episodeve tragjike që shënuan muajin korrik në rrugët e vendit. Të dhënat e Policisë së Shtetit, të përpunuara nga INSTAT, tregojnë se në muajin korrik 2026 janë regjistruar 165 aksidente rrugore, në të cilat 235 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur).
Krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, situata paraqitet dukshëm më e rënduar. Në korrik 2025 u shënuan 131 aksidente dhe 194 persona të aksidentuar. Kjo do të thotë se brenda një viti numri i aksidenteve u rrit me 34 raste, ose rreth 26%, ndërsa numri i personave të vrarë dhe të plagosur u shtua me 41, me një rritje prej rreth 21%.
Gjatë muajit korrik 2026, 90,3 % e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grup-mosha 25-34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 21,8 % të numrit total të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë. Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, sipas ditëve të javës, është shënuar ditën e enjte me 18,8 %, ndërsa numri më i ulët është regjistruar ditën e martë me 12,1 %.
Policia Rrugore ka intensifikuar kontrollet dhe përdorimin e teknologjisë për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve, përmes radarëve dhe mjeteve inteligjente. Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar edhe zgjerimin e sistemeve të monitorimit përmes projektit “Smart City”, me synimin për të ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve. Objektivi i deklaruar është përgjysmimi i aksidenteve rrugore deri në vitin 2030. Megjithatë, rritja e regjistruar gjatë këtij viti tregon se rruga drejt këtij synimi mbetet e gjatë dhe kërkon masa më efektive për sigurinë në rrugë.
KOHA JONË SONDAZH


