Aksidenti i frikshëm pranë Saukut, dy makina të bëra copash dhe urbani i përmbysur në mes të rrugës
Një aksident i rëndë u shënua pasditen e kësaj të diele në Tiranë, i cili për fat nuk ka pasur viktima. Si pasojë e përplasjes së autobusit me dy mjete në rrugën e Elbasanit në Tiranë, makinat janë bërë copash. Ende nuk dihet nëse ka qenë shpejtësia e lartë apo humbja e kontrollit nga ana e shoferëve shkaku kryesor i aksidentit.
Nga përmbysja e autobusit të linjës së Lundrës me shofer Gentjan Qosjen, tre persona të dëmtuar lehtë pa rrezik për jetën janë dërguar në spital, ku po mjekohen, ndërsa 4 të tjerë kanë pësuar gërvishtje të vogla.
Të plagosurit ishin duke udhëtuar nga Krraba drejt Tiranës me autobusin e linjës së Lundrës. Njëri prej mjeteve ka qenë i parkuar anës rrugës gjatë kohës kur ndodhi përplasja. Si pasojë e aksidentit është bllokuar për disa minuta ky aks rrugor që lidh zonën e Saukut me hyrjen e Tiranës, te zona e Ekonomikut.
Policia sqaron se shkak i aksidentit, ka qenë humbja e kontrollit të shoferit të autobusit Gentjan Qosja, çka shkaktoi daljen nga rruga dhe përmbysjen e tij. Pas testit të alkoolit, drejtuesi i autobusit nuk ka rezultuar nën efektin e pijeve alkoolike.