Aksidenti i përgjakur në Sukth, filmoi veten me mbi 176 km/orë (VIDEO)
Dashnor Deliallisi, shkaktari i aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e djeshëm në Sukth, ku humbën jetën tre vajza dhe ai vetë, ishte i fiksuar pas shpejtësisë. Momente të tilla, plot adrenalinë, ku lëvizte me shpejtësi të madhe me mjetet e tij superluksoze nuk ka ngurruar t’i fiksojë edhe në video.
Madje këtë gjë e ka eksperimentuar disa herë edhe në autostradën Tiranë-Durrës, rrugë ku edhe shkaktoi aksidentin tragjik me 4 viktima.
“BalkanWeb” sjell një video të filmuar nga vetë Deliallisi, ku ai fikson me celularin e tij teksa lëviz me një shpejtësi marramendëse me mbi 176 km/orë, me një makinë BMW superluksoze. Në sfond dëgjohet me volum të lartë kënga më e re e Ghetto Geasy (Getoar Selimit) dhe Majkut, “Ajo”, e njohur nga të rinjtë për refrenin e famshëm, “unë të lagi me shampanjë”.
Por ka qenë pikërisht shpejtësia e madhe shkaku i aksidentit të një dite më parë, ku 36-vjeçari Deliallisi, teksa lëvizte në sens të kundërt në autostradën Tiranë-Durrës, me një makinë tip “Benz”, është përplasur me automjetin ku udhëtonin tre vajzat, Greta Sherifi, 23 vjeç, banuese në Sarandë dhe pronare e makinës, Izabela Balla, 33 vjeç, si edhe Elona Kaçibaros, 34 vjeç, banuese në Tiranë.
Sipas ekspertëve, Dashnor Deliallisi ishte shkaktari i aksidentit. Pasi eci për rreth 12 kilometra në krah të kundërt, duke qenë se ndiqej nga policia, e cila e kishte pikasur duke qarkulluar tej normave të lejuara, ai u përplas në Sukth me automjetin ku udhëtonin vajzat, aksident tragjik nga i cili 36-vjeçari dhe tre të rejat gjetën vdekjen e menjëhershme.
Por kush ishte Dashnor Deliallisi?
Dashnor Deliallisi ishte qytetar rom, i lindur në Fushë Krujë dhe me mbiemër të ndryshuar. Aktualisht ai bashkëjetonte me një grua në qytetin e Durrësit.
Në fakt ai rezultonte i papunë, por nga fotot e publikuara në rrjetet sociale duket që bënte jetë luksoze me makina të shtrenjta, në lokale nate, me orë e unaza prej ari.
Sipas burimeve zyrtare, Dashnor Deliallisi është një shtetas me precedentë penalë, i cilësuar si “kamikazi shkatërrues”. Ai rezulton të jetë arrestuar në vitin 2011 në lagjen 12 në Durrës, pasi tentoi të vriste një person me një armë pa leje.
Në momentin e aksidentit mëngjesin e djeshëm në Sukth, Dashnor Deliallisi dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës, por ende nuk kanë dalë përgjigjet përfundimtare, përsa i përket analizave toksikologjike.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=54yhrxssgG4″ width=”560″ height=”315″]
KOHA JONË SONDAZH

