Aksidenti tragjik/ Babai i Denisës: Sikur ndjeja diçka! Fjala e parë që më tha vajza kur u zgjua
Ora 05:00 do të mbahet mend gjithë jetën nga Edmond Dibra, është momenti kur vajza e tij, Denisa ka rilindur sërish, pas një aksidenti tragjik që pësoi në Elbasan, i cili i mori jetën 2 shoqeve të saj. “Ku janë shoqet” është fjalia e parë që Denisa ka thënë pasi e ka marrë veten, për të cilën nga mjekët është marrë si një mesazh pozitiv e tregues se gjendja e saj shëndetësore është e mirë, edhe pse momenti i përplasjes i është fshirë nga kujtesa. Ai ka treguar me detaje se si e ka marrë vesh lajmin e trishtë, i cili thotë se si një prind kishte parandjerë që diçka nuk shkonte.
“Në radhë të parë, më falni për gjendjen emocionale, nuk do ia dëshiroja një familje këtë tragjedi. Falenderoj të madhin Zot, një aksident tepër i rëndë, vajza është jashtë rrezikut për jetën, ka plagë por është jashtë rrezikut. Falenderoj stafin e spitalit që kanë bërë çmos që vajza momentalisht ndodhet jashtë rrezikut. Është diçka vajza njihen nga Shkodra, e ndjera kishte ditëlindjen. Nervida Garunja është në një gjendje të vështirë për jetën, InshAllah bën mrekulli. Aksidenti ishte shumë i rëndë, Shkodra jeton me hallin dhe brengën time dhe familjet që kanë humbur pjesëtarë, aksidenti ishte fatal. Denisa ka ardhur në vete në orën 5 të mëngjesit që ka komunikuar, me mua, nuk e kujton aksidentit tragjik. Kur është përmendur ka kërkuar shoqet e saj, kjo është e mirë që vajza i kujtohet pak a shumë. Si e mora vesh lajmin? Mbrëmjeve ulem me bashkëshorten për të pirë një kafe dhe po shihja orën, vajza nuk ka shans që të mos më marrë 3 herë në ditë. “U thashë a po knaqeni”, “po hamë drekë, nga ora 6 do vijnë për Shkodër”. Në orën 7 them si ka mundësi që s’na ka marrë vajza, sikur më shtynte diçka. I marr në celular, më del një person. Më thotë një qytetar që vajza është jashtë rrezikut për jetën. Më thotë më jep në telefon babain. Ishte momenti kur kishte marrë zjarrfikësit dhe kishin nxjerrë vajzën nga makina, Kam lëshuar telefonin në tokë”, rrëfen ai për ”Report TV”.
Prindërit e Nervidës nuk munden të jenë pranë saj në këto momente kritike për jetën, sepse kanë hapur dyert e mortit në Shkodër, në pritje të trupit të pajetë të vajzës tjetër të tyre, Lusindës. Ky aksident e ka një fajtor. Ai është Behar Pema, 58 vjeç (i arrestuar) i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur. Për këtë babai kërkon nga shteti që të bëjë detyrën, asgjë më shumë. “Do të thoja që shteti të bëj detyrën e tyre, siç duhet”, ka përfunduar.