Aksioni i përbashkët me Antimafian italiane, kreu i SPAK: U sekuestruan një milion euro cash dhe pasuri të tjera
Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe strukturave antimafia të Barit ka çuar në goditjen e një grupi kriminal me aktivitet në Shqipëri dhe Itali.
Në konferencën e përbashkët për media me prokurorin e Barit, kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho bëri me dije se gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, si dhe pasuri të tjera të dyshuara si produkt i veprimtarisë kriminale.
“Është kënaqësi për mua që jam sot në Bari për të komunikuar rezultatet hetimore të operacionit të përbashkët mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Antimafias së Barit. Ky operacion është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes palëve. Në vijim të hetimeve lidhur me këtë çështje janë caktuar 15 masa sigurimi, 10 prej të cilave janë dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Tiranë. Gjatë hetimeve paraprake janë sekuestruar në total 1 milion euro cash dhe, me kërkesë të Prokurorisë, nga Gjykata e Posaçme janë sekuestruar edhe pasuri të tjera, si shoqëri tregtare, automjete dhe llogari bankare, të cilat dyshohet se burojnë nga aktivitete kriminale.
Ky rezultat dhe kjo skuadër nuk janë pasojë e një terreni bosh, por vijimësi e një bashkëpunimi të mëparshëm mes Policisë së Barit dhe SPAK-ut. Dua të përmend disa operacione të mëparshme, në kuadër të të cilave janë dënuar penalisht rreth 170 persona dhe 145 prej tyre kanë marrë dënime të konsiderueshme, nga 12 deri në 15 vite burg.
Në emër të SPAK-ut dua të theksoj vlerësimin për autoritetet italiane, në veçanti për Prokurorinë e Barit, strukturat e specializuara antimafia, Eurojust-in dhe të gjithë hetuesit që kanë kontribuar në rezultatet e këtij hetimi dhe hetimeve të mëparshme. Po ashtu, gjej rastin të falënderoj Drejtorinë e Policisë së Shtetit në Shqipëri”, tha ndër të tjera Braho.
“Kemi zbuluar disa ngjarje kriminale, përfshirë edhe një vrasje, si dhe një bashkëpunim mes grupeve mafioze. Bëhet fjalë për një vrasje të regjistruar në rajonin e Pulias, në Itali, e cila tregon, në një farë mënyre, zgjerimin e mafias shqiptare në territorin tonë. Gjithashtu, janë ndërmarrë edhe masat e dhëna nga SPAK për sekuestrimin e parave dhe pasurive.
Kemi bërë një punë shumë të mirë në bashkëpunim me SPAK-un. E falënderojmë për arrestimin e një personi që ishte i kërkuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Falë edhe Eurojust-it, ky bashkëpunim ka zgjatur prej 10 vitesh dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Jemi të bindur se Shqipëria do të arrijë ta luftojë me forcë mafian dhe ne do t’i qëndrojmë pranë në këtë përpjekje. Do të kemi bashkëpunime të ndërsjella”, tha prokurori i Barit.
KOHA JONË SONDAZH

