Aksioni i ri nga protesta, Lika: Do ta ndjekim Ramën në çdo takim me vezë dhe domate
Sot është dita 124 e protestës, dhe Edison Lika, tha se ky muaj do të shënojë një fazë të re të lëvizjes së tyre. Sipas tij, studentët do të vijojnë të shfaqen në aktivitetet publike të kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësuesve të qeverisë. Lika tregoi se ditën e sotme një grup studentësh u drejtuan në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku kryeministri ndodhej për inaugurimin e disa investimeve.
“Sot është 1 tetor, ky do të jetë Tetori i Studentëve. Sot së bashku me një grup studentësh morëm vesh që Rama do të ishte në QSUT për të përuruar disa investime. Shkuam dhe ia thamë në sy thirrjen që kemi kohë që e themi në shesh: ‘Arrestoni Ramën!’”, deklaroi Lika.
Ai paralajmëroi se protestuesit do të ndjekin aktivitetet e kryeministrit dhe qeverisë edhe në ditët në vijim, duke u shfaqur në takime, fushata dhe dalje të tjera publike. “Rama dhe qeveria duhet ta dinë se nuk do të kenë asnjë ditë të qetë në jetën e tyre politike. Do t’i ndjekim këmbë për këmbë kudo që të jenë në fushata, takime”, u shpreh ai.
Lika tha gjithashtu se protestat do të shoqërohen edhe me forma simbolike kundërshtimi gjatë daljeve publike të kryeministrit. “Çdo dalje e tij publike do të jetë makth, do ta ndjekim me vezë e domate kudo që të jetë”, tha Edison Lika.

