Aksioni i SPAK si tentativë për ta fshehur krimin e organizuar zgjedhor
Nga Bujar Nishani
Maskarada më e fundit e të ashtuquajturit “SPAK” gjoja për “hetimet” dhe “arrestimet” për krim zgjedhor dhe DOSJEN 339 nuk është gjë tjetër veçse një bashkëpunim me krimin zgjedhor dhe një shtesë penale në atë dosje që do apo nuk do “SPAKU” do të hetohet me themel dhe me të gjithë thellësinë e merituar, një ditë !
Krimet zgjedhore të dosjeve 339 dhe 184, nuk do të kenë dot fatin e dosjeve të varrosura të krimeve të komunizmit mbi shqiptarët.
“SPAKU” u përpoq sot të përhapë mediatikisht idenë spekulative ndër shqiptarët se tashmë po vepron mbi banditët e vjedhjeve të zgjedhjeve parlamentare të 2017 dhe atyre lokale të 2015, duke lëshuar disa urdhëra arresti për një duzinë komisionerësh mjeranë katundesh në Shijak.
Komisionerë manipulatorë dhe ordinerë jo vetëm janë arrestuar në këtë vend edhe më parë por madje janë dënuar e kanë përfunduar në burg shumë kohë më parë edhe se sa të na ngrihej “SPAKU”.
Vjedhja e zgjedhjeve të 2017 dhe ndryshimi përmes dhunës dhe krimit i vullnetit popullor në 2017, siç demonstrohet në dosjet 339 dhe 184 nuk erdhi nga 20 vota të hedhura në kuti në emër emigrantësh jo prezent në Shqipëri.
Kataklizmoja zgjedhore e 2017 ishte një platformë kriminale e ideuar nga qeveria, marrë përsipër nga segmentet më të errëta të shtetit, zbatuar nga krimi i organizuar dhe përgëzuar nga kapoja i politikës.
Të gjitha këto me prova të qarta (tashmë publike) tek dosjet 339 dhe 184 !
Hakmarrja e turpshme e pushtetit mbi ata pak prokurorë që kishin kurajo dhe pavarësi profesionale për të hetuar realisht këto krime, duke i shkarkuar, larguar nga hetimet e degdisur për “riedukim”, ishte veç konfirmimi publik i atyre krimeve.
Loja e turpëshme e “SPAKUT” me pingpongun procedurial me dosjet drejt prokurorive lokale ishte një shpërdorim i pastër detyre, që padyshim duhet hetuar.
Por tentativa për ta fshehur krimin e organizuar zgjedhor dhe dhunimin e vullnetit popullor pas fytyrave mjerane të disa komisionerëve është një bashkëpunim i pastër me krimin e organizuar zgjedhor.
Ky krim i rëndë me pasoja shumë të rënda për shtetin, shoqërinë, interesin kombëtar shqiptar ka marrë sot vëmëndjen dhe angazhimin ndërkombëtar.
Ky rast i rëndë kriminal në Shqipëri në fakt meriton të hetohet dhe gjykohet nga një Prokurori dhe Gjykatë Speciale Ndërkombëtare.
Por deri atëhere asnjë tentativë për ta lënë në harresë apo fshehur këtë krim të rëndë nuk do mundet as ti gënjejë e as ti frikësojë dot shqiptarët.
“Harresa është mjet i gabuar për të fshehur dhimbjen”, të panderuar !