Aksioni kundër call center në Tiranë, Europol publikon detajet: 900 mijë euro të sekuestruara
Një rrjet kriminal shqiptar që dyshohet se kishte ngritur një skemë të gjerë mashtrimi online është goditur pas një hetimi të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre austriake, me mbështetjen e Europol dhe Eurojust. Operacioni, i cili ka zgjatur mbi dy vjet, përfundoi me arrestimin e 10 personave në Tiranë, kontrolle në disa call center dhe sekuestrimin e rreth 900 mijë eurove cash. Sipas hetuesve, dëmi i shkaktuar nga skema mund të kalojë 50 milionë euro.
Rrjeti dyshohet se funksiononte përmes platformave fiktive investimesh, të reklamuara në internet dhe rrjete sociale, ku viktimat kontaktoheshin më pas nga “agjentë” që paraqiteshin si këshilltarë financiarë. Ata përdornin presion psikologjik dhe metoda të sofistikuara, përfshirë akses në distancë të pajisjeve, për t’i bindur viktimat të transferonin shuma të mëdha parash.
Struktura e grupit ishte e organizuar në mënyrë profesionale, me ekipe të ndara sipas gjuhëve dhe funksioneve, duke synuar vende të ndryshme në Evropë dhe më gjerë. Hetimi nisi fillimisht në Austri pas një numri të madh viktimash, dhe më pas u zgjerua në Shqipëri përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, duke çuar në operacionin e koordinuar në prill 2026.
KOHA JONË SONDAZH

