Aksioni tjetër i shoqërisë civile, ngrihen çadra tek parku i liqenit

Pasi Bashkia e Tiranës deklaroi dje se është e vendosur që të vazhdojë me projektin e saj brenda parkut të liqenit të Tiranës, aktivistët e shoqërisë civile kanë menduar një tjetër mënyrë për të mos lejuar vazhdimin e këtyre punimeve.

Organizimi ka nisur në rrjetet sociale dhe është parashikuar që ditët në vijim, protestuesit të ngrenë çadrat brenda parkut të liqenit, duke kundërshtuar fort vazhdimin e punimeve.

Dje, shoqëria civile hoqi rrethimin me shkopinj dhe u përplas fizikisht me policinë, ku disa prej tyre u dhunuan dhe u shoqëruan në komisariat. Disa orë pasi protesta kishte përfunduar, Bashkia e Tiranës i quajti protestuesit “vandalë” dhe tha se projekti do të vazhdojë.

Pak pas kësaj deklarate për mediat, Policia Bashkiake vendosi rrethim me tela përreth vendit ky po kryhen punime brenda parkut të liqenit. Kjo ka bërë që shoqëria civile të ndërmarrë nismën tjetër, që do të jetë ngritja e çadrave brenda parkut, duke mos lejuar vazhdimin e projektit të Bashkisë së Tiranës.

“Nëse Kryetari i Bashkisë nuk tërhiqet parku kthehet në kamping”, është slogani i kësaj nisme të re.

SHKARKO APP