Aktivisti Edison Lika: Kërkojmë arrestimin sa më parë të policit bandit, nxori th*kën

Aktivisti Edison Lika akuzon autoritetet për rritje të presionit ndaj protestuesve. Ai tha se gjatë ditëve të fundit janë shoqëruar dhjetëra aktivistë, të cilët për të nuk kanë kryer asnjë shkelje, por kanë qenë të pranishëm në trotuar ose kanë filmuar ngjarjet. Lika kujtoi edhe shoqërimin e tij disa ditë më parë, teksa po jepte një intervistë, ndërsa tha se gjatë protestës së sotme është ndaluar edhe aktivisti Genc Shehu, vetëm pse po filmonte.

Në deklaratën e tij, aktivisti ngriti një akuzë të rëndë ndaj një efektivi të policisë private, për të cilin pretendon se ka tentuar të sulmojë një protestues me thikë. “Një polic privat sot i nxori thikën njërit prej protestuesve. Ai nuk e nxori vetëm për ta kërcënuar, por tentoi të godiste Gent Prognin. Ajo thikë na është drejtuar të gjithëve ne. Ne nuk kemi frikë dhe as nuk falim,” u shpreh Lika.

Ai bëri të ditur se për rastin është depozituar një kallëzim penal, si edhe një ankesë pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Sipas Likës, aktivistët kanë kërkuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, por tre argjendari pranë vendit të ngjarjes kanë deklaruar se kamerat nuk ishin funksionale.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Kjo nuk është heshtje, por bashkëpunim me policinë e krimit,” tha ai. Në fund të reagimit, Lika u bëri thirrje organeve ligjzbatuese të ndërhyjnë menjëherë dhe të arrestojnë personin që, sipas pretendimeve të tij, kërcënoi protestuesit me thikë.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?