Akuza e biznesmenit, Vladimir Kosta bën kallëzim penal në Prokurori
Vladimir Kosta ka bërë kallëzim penal në Prokurori ndaj biznesmenit Kostandin Gjata, pak ditë pas letrës së hapur për kryeministrin Edi Rama.
Deputeti nga Përmeti, është larguar nga Partia Socialiste. Ai i ka dërguar një letër kryeministrit Rama ku sqaron edhe arsyet e largimit nga PS-ja.
Kosta në letër i kujtonte Ramës se si një herë ai ka paguar 110 mijë euro një drejtuesi medieje për hatër të kryeministrit.
Ai gjithashtu i kujtonte edhe përplasjet që ka patur me të për kandidimin e Gilberto Jaçes për Bashkinë e Përmetit.
AKUZA E BIZNESMENIT
Por si përgjigje ndaj kësah letre, disa orë më vonë, erdhi denoncimi i një biznesmeni.
Vladimir Kosta, deputeti i vetëlarguar nga PS, duket se i ka kërkuar haptazi një shumë prej 54 milionë lekësh të vjetër një ndërtuesi përmetar, për shkak se sipas tij kishte ndikuar që të fitonte tenderin për një vepër publike.
Denoncimi u bë për gazetën “Panorama” nga vetë biznesmeni ndërtues, Kostantin Gjata.
Biznesmeni tha se Kosta i pati kërkuar atij shumën në fjalë, pasi firma e këtij të fundit, “Rosi” sh.p.k. fitoi tenderin për rehabilitimin e urës së fshatit Vllahopsilloter në zonën e Çarçovës në rrethin e Përmetit.
Sipas Gjatës, përpara se firma e tij e ndërtimit të fitonte tenderin, deputeti Kosta pati investuar një shumë gati 500 mijë lekë të rinj për hapjen e një grope, betonin dhe pagesën e disa punëtorëve për këtë vepër, që ishte e shumëkërkuar nga komuniteti i atjeshëm.
Nga përllogaritjet e Gjatës, Kosta nuk ka hedhur më shumë se kaq lekë, ndërkohë që kërkonte nga ai, pas lëvrimit të fondeve të tenderit, më tepër se 10-fishin e vlerës së investuar nga ai vetë ose ¼ e vlerës së përgjithshme të tenderit, çka për Gjatën ishte e papranueshme.
“Ai më kërkoi 5.3 milionë lekë për disa punime që, sipas ekspertëve, vlera e tyre nuk shkonte as 500 mijë lekë. Unë refuzova t’ia jap, pasi ishte e padrejtë. Punimet e urës mbetën pezull për një kohë të gjatë. Deputeti Vladimir Kosta pretendon se më ka favorizuar për të fituar këtë tender, por kjo nuk është e vërtetë”, shprehet Gjata.
Këto shuma lekësh deputeti Kosta ia kërkonte biznesmenit Kostantin Gjata me pretendimin se kishte favorizuar biznesmenin për të fituar këtë tender me vlerë totale prej 200 milionë lekësh të vjetër.
Ndërkaq, Gjata shprehet se tenderi u fitua konform rregullave të vendosura dhe sikur të mos ishte kjo, kostoja e punimeve që ka kryer deputeti Kosta mbi urën kap shifrën e 500 mijë lekëve, pasi ai aty ka hapur vetëm një gropë për një nga këmbët e urës.
KOHA JONË SONDAZH

