Akuza për dhunë gjatë shoqërimit të një qytetari në Kuçovë, drejtori Hita pezullon 3 efektivët e Policisë

Tre punonjës të Komisariatit të Policisë Kuçovë janë pezulluar nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, ku pretendohet për ushtrim dhune nga efektivët e Policisë. Vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ka urdhëruar edhe nisjen e hetimit disiplinor ndaj tre efektivëve. Bëhet fjalë për inspektorët K. M. dhe D. D., oficerë të Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektorin A. M., ndihmësspecialist (SPZ). Hetimi disiplinor do të fokusohet te dyshimet për “përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës” dhe “kryerje të veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit:

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet shoqërimi i një shtetasi nga punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Kuçovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra 3 punonjësit e Komisariatit të Policisë Kuçovë që shfaqen në video, konkretisht: inspektorët K. M. dhe D. D., oficerë të Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektor A. M., ndihmësspecialist (SPZ).

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në zbatim të kërkesave të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, në DPPSH, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 3 punonjësve të pezulluar nga detyra, për shkeljet “Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës” dhe “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë, sqarojmë opinionin publik se shoqërimi i shtetasit D. T., që shfaqet në video, nuk është bërë për kryerjen e punimeve të ndërtimit pa leje, por për shkak se ndaj tij është bërë kallëzim për kanosjen e kunatës së tij.

Më datë 20.07.2026, në Komisariatin e Policisë Kuçovë është paraqitur kunata e shtetasit D. T., shtetasja V. T., e cila ka kallëzuar se ky shtetas e kishte kanosur.

Në kuadër të veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Kuçovë dhe pas konsultimit me Prokurorinë e Beratit, më datë 03.08.2026, shërbimet e Policisë kanë shkuar në fshatin Krekëz, për të shoqëruar shtetasin D. T., i cili nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat, pas njoftimit nga ana e Policisë, për t’u pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Në vijim të veprimeve për rastin, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.

Duke qenë se palët janë në situatë konfliktuale dhe në proces gjyqësor për një pronë (tokë), Komisariati i Policisë Kuçovë e ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme problematikën ndërmjet tyre, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës, duke reaguar ndaj çdo njoftimi dhe duke kryer veprimet procedurale në përputhje me ligjin.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit garanton qytetarët se çdo pretendim për shkelje të ligjit apo të standardeve profesionale nga ana e punonjësve të Policisë do të verifikohet me seriozitet dhe paanshmëri.

Çdo punonjës Policie që konstatohet se ka shkelur ligjin, rregullat e shërbimit apo ka cenuar besimin e qytetarëve me veprimet e tij, do të mbajë përgjegjësi sipas parashikimeve të ligjit dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?