
Çështja e kufirit detar me zgjerimin deri në 12 milje në Detin Jon shihet si e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme nga ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis. Në një intervistë të dy ditëve më parë për Ta Nea, përpara takimit të sotëm me ministrin Ferit Hoxha, ai shprehet se po përgatiten për “mbrojtjen e interesave kombëtare”. Gerapetritis thotë se kjo strategji është reflektuar edhe me zgjerimin në Kepin Tainaro dhe “Greqia do të vijojë të rritet”.
Në vitin e ardhshëm, përkatësisht në gjysmën e dytë të tij, Greqia do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Në intervistë, Gerapetritis shprehet se është punuar intenisivisht për këtë moment që do të përkojë me vendime të rëndësishme.
“E kam thënë shumë herë, zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme e Greqisë që rrjedh nga e Drejta Ndërkombëtare e Detit, dhe ushtrimi i saj do të kryhet në mënyrën dhe në kohën e zgjedhur nga shteti grek. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ne kemi një plan dhe po përgatitemi metodikisht për të mbrojtur interesat kombëtare të atdheut në mënyrën më të mirë të mundshme.
Strategjia jonë është reflektuar tashmë në nisma specifike, siç është zgjerimi i ujërave tona territoriale në Detin Jon dhe deri në Kepin Tainaro, zbatimi i argumenteve tona në Egje dhe Mesdheun Lindor, forcimi i prestigjit ndërkombëtar të vendit dhe përmirësimi i kapacitetit tonë parandalues. Asnjë qeveri tjetër nuk ka guxuar të bëjë kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër politike. Greqia është rritur dhe do të vazhdojë të rritet”, tha Gerapetritis.
