
Dmitry Medvedev, zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ka ripërsëritur paralajmërimet e Moskës për një sulm bërthamor parandalues. Ai theksoi se një veprim i tillë mund të ndërmerret nëse shteti rus përballet me kërcënime që rrezikojnë ekzistencën e tij.
Këto deklarata u bënë publike në një artikull të tij, botuar në revistën “Moscow Journal of International Law”, me titull “Sovraniteti shtetëror dhe armët bërthamore: Aspekte të së drejtës ndërkombëtare në garantimin e sigurisë kombëtare”. Në shkrim, Medvedev detajoi doktrinën bërthamore të Federatës Ruse dhe rrethanat që mund të justifikojnë përdorimin e armëve bërthamore.
Sipas tij, kërcënimet ushtarake ndaj Rusisë, përfshirë përdorimin masiv të mjeteve sulmuese ajrore dhe hapësinore jobërthamore, mund të shërbejnë si bazë për shqyrtimin e një sulmi bërthamor parandalues. Medvedev argumentoi se këto mjete, megjithëse jobërthamore, kanë potencialin të shkaktojnë katastrofa teknologjike, mjedisore ose sociale.
Një skenar i tillë, sipas zyrtarit rus, do të përbënte një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të vendit. Ai sqaroi se parimet themelore të politikës bërthamore ruse lejojnë një sulm parandalues në rastet kur ekzistenca e shtetit vihet në rrezik ose kur vendit i shkaktohet një dëm i papranueshëm.
