Akuzat e PD për hekurudhën, ministria: Procedurat, sipas ligjit

 

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës reagoi sot, me anë të një njoftimi për shtyp, pas akuzave të Partisë Demokratike për konçesionin e hekurudhës Vlorë-Fier.

MTI sqaron opinionin publik, se proçedura konkuruese për konçesionin për rehabilitimin e segmentit hekurudhor Fier-Ballsh-Vlorë, ka qenë e hapur dhe konform kuadrit ligjor.

Sipas MTI, deklaratat e bëra nga opozita janë keqinformuese dhe nuk tregojnë realitetin.

MTI jep edhe detaje mbi  të dhënat kronologjike në lidhje me këtë konçesion, që tregojnë se Agjencia e Prokurimit Publik ka bërë botimin për ftesën për ofertë në datën 8 qershor deri në datë 30 korrik 2015, rreth 50 ditë, ndërsa fituese u shpall oferta e vetme, që erdhi nga bashkimi i kompanive “ALB STAR” shpk dhe “Matrix Construction” shpk.

“Nga studime të shumta, infrastruktura hekurudhore në tërësi dhe ajo e këtij segmenti në veçanti, paraqitet tejet e amortizuar dhe kërkon ndërhyrje. Për këtë arsye, MTI, nëpërmjet një politike të hapur zhvillimore për infrastrukturën e transportin në Shqipëri, inkurajon biznese, vendas apo të huaj, të ndërmarrin iniciativa të partneritetit publik privat për realizimin e projekteve infrastrukturore, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët”, thuhet në njoftimin e MTI.

Të dhënat për konçesionin e hekurudhës Vlorë-Fier

Rehabilitimi i segmentit hekurudhor Fier – Ballsh dhe Ballsh – Vlorë do të jepet me konçesion për një periudhe prej 25 vjetësh, brenda së cilës do të përfshihen: Periudha për rehabilitimin e segmenteve hekurudhore dhe periudha e operimit.

Investimi parashikon rinovimin e linjës dhe investime për mirëmbajtje dhe mjedisin. Pas shqyrtimit të Draft Studimit të Fizibilitetit, me Urdhër Ministri 54, 10 Prill 2015, është miratuar studimi i fizibilitetit “Për dhënien me konçension të segmentit hekurudhor Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë”.

Në datë 18 maj 2015, Komisioni i Dhënies së Konçensionit, i paraqiti Ministrit relacionin e hartimit të Dokumentave Standarde të Procedurës Konkurruese, në zbatim të Ligjit 125/2013 dhe VKM 575/2013; dhe vendimin e datës 19 maj 2015 për miratimin e këtyre dokumentave. Me shkresë Nr. Prot. 3178, datë 2 qershor 2015, MTI i dërgoi për botim ftesën për ofertë Agjencisë së Prokurimit Publik.

Agjencia e Prokurimit Publik bëri botimin e ftesës për ofertë në Buletinin e Njoftimeve Publike Nr. 22, datë 8 qershor 2015, që mund të shihet në  https://ëëë.app.gov.al/ep/2015_Arkiva_e_Buletineve.aspx .

Në datë 30 korrik 2015, ora 15:00, Komisioni i Dhënies së Konçensionit hapi ofertat për projektin, ku rezultonte vetëm një ofertë.

Në datë 26 gusht 2015, ora 11:00, Komisioni i Dhënies së Konçensionit  konstatoi se në sistemin elektornik të prokurimit kishte vetëm një ofertë, nga Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “ALB-STAR” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k. Në përfundim të vlerësimit të përpuethshmërisë me Dokumentat Standarte të Konkurimit rezultoi se Bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive përmbushte kapacitetet dhe kualifikohet për fazën e mëtejshme.

Me vendim të datës 31 gusht 2015, Komisioni i Dhënies së Koncensionit, pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur nga bashkimi i përkohshëm i operatorëve “Alb-Star” sh.p.k. dhe “Matrix Konstruksion” sh.p.k., konstatoi se: Koha e zbatimit te punimeve është 46 muaj; Vlera e investimit është 1,394,569,680 lekë (infrastrukturë), 742,000,000 lekë (pajisje); Vlera e “Fee koncesionare” është 2.2% . Aktualisht, palët janë në fazë negocimi të kontratës koncensionare.

SHKARKO APP