Akuzat për ”Shqipërinë e Madhe”/Tirana zyrtare notë verbale ndaj Beogradit, kundërpërgjigjet Serbia
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ia ka përcjellë Beogradit një notë verbale, pasojë e ofendimeve të ministrit të mbrojtjes Aleksandër Vulin, të cilat Tirana zyrtare nuk ka ndërmend t`i tolerojë më.
Në dokument theksohet indinjata e thellë ndaj gjuhës fyese dhe atyre që përshkruhen si akuzave të pabaza drejtuar Republikës së Shqipërisë nga ana e Vulin.
Thuhet se autoritetet serbe kanë thirrur ambasadorin shqiptar në Serbi, pasi edhe ata kanë përgatitur një notë proteste për ne.
“Gjuha ofenduese dhe komunikimi i të pavërtetave në adresë të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, nuk është mënyra e duhur për zgjidhur mospajtimet politike. Për më shumë, publikimi i deklaratave të kësaj natyre në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë i jep një karakter institucional qëndrimeve të Ministrit. Me anë të kësaj Note Verbale, dënojmë gjuhën e përdorur dhe kërkojmë distancim të qartë dhe të hapur të autoriteteve shtetërore të Serbisë nga gjuha e Ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin”,- thuhet në letër.