Alarm në Krastë të Krujës, rrezikohen rreth 20 banesa. Banorët kërkojnë ndërhyrje nga ajri
Një situatë shqetësuese është raportuar mbrëmjen e sotme në zonën e Krastës në Krujë, ku një vatër zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar edhe zonat e banuara. Flakët kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të kodrës dhe po avancojnë në drejtim të banesave. Rreth 20 shtëpi raportohet se ndodhen në rrezik nga përhapja e zjarrit.
Banorët shprehen të alarmuar për përmasat e flakëve dhe bëjnë me dije se në vendngjarje ndodhet vetëm një automjet zjarrfikës. Sipas tyre, një mjet i vetëm nuk është i mjaftueshëm për të përballuar situatën dhe për të frenuar përhapjen e zjarrit.
Përballë kësaj situate, banorët kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme me mjete të tjera zjarrfikëse, si dhe angazhim të mjeteve ajrore për të ndaluar avancimin e flakëve drejt banesave. Zona e Krastës është përballur edhe në të kaluarën me vatra të fuqishme zjarri, të cilat kanë shkaktuar rrezik për banesat dhe sipërfaqet pyjore.
KOHA JONË SONDAZH

