“Alarmi”, OSHEE kërkon përmbarues për arkëtimin e detyrimeve
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po kërkon mbështetje nga përmbaruesit për arkëtimin e detyrimeve. Përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare, OSHEE Group, së bashku me 3 shoqëritë e kontrolluara, që janë “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”, “Furnizuesi i Shërbimit Universal” dhe “Furnizuesi i Tregut të Lirë”, bëjnë me dije se mundësia e bashkëpunimit kërkohet me çdo shërbim përmbarimor, me qëllim arkëtimin e detyrimeve përmes ekzekutimit të detyrueshëm të titujve ekzekutivë, sikurse janë faturat e energjisë elektrike.
Këkresa vjen pak kohë pasi OSHEE miratoi skemat e reja për likujdimin me këste të detyrimeve të prapambetura, duke përfshirë të gjitha kategoritë e abonentëve, që nga klientët familjarë, biznese, por edhe institucionet shtetërore dhe ujësjellësit.
Sipas tyre klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë, ndërsa klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë.
Ndërkohë që, klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë, duke variuar nga 24 këste për atat që kanë borxhe deri në 300 mijë lekë e deri te 120 këste pë rata klientë që kanë mbi 1 mln lekë detyrime të prapambetura.
Paralelisht, OSHEE Group miratoi edhe skemën e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt likuidimit të plotë të debisë së prapambetur deri në 31 dhjetor 2022. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, vlera e detyrimeve të prapambetura, në fund të vitit 2022 për të gjitha kategoritë arrit në 79.91 mld lekë.
Ola Mitre / SCAN