Albin Kurti po e mban Kosovën peng për pushtetin

Albin Kurti i ka fituar zgjedhjet dhe askush nuk mund t’ia mohojë këtë. Por të fitosh zgjedhjet është një gjë, të dish të bësh shtet është tjetër. Pikërisht këtu fillon problemi i madh i kryeministrit në detyrë të Kosovës.

Kosova është futur në një vorbull politike të zgjedhjeve, krizave dhe institucioneve të bllokuara. Qytetarët janë thirrur tri herë në zgjedhje parlamentare brenda një periudhe shumë të shkurtër dhe përsëri politika nuk po arrin të prodhojë stabilitet. Kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

Kurti ka votat për të pretenduar qeverinë. Partisë së tij, si forcë fituese, i takon të propozojë kryetarin e Kuvendit. Atëherë pse duhet të bllokohet Kosova edhe për Presidentin?

Swiss Digital Desktop Reklama

Presidenti nuk është ministër i Albin Kurtit dhe as sekretar i Vetëvendosjes. Ai duhet të përfaqësojë unitetin e shtetit dhe pikërisht për këtë arsye Kushtetuta kërkon një konsensus më të gjerë parlamentar për zgjedhjen e tij. Nëse Kurti kërkon një President konsensual, atëherë duhet të pranojë edhe thelbin e konsensusit: kompromisin.

Swiss Digital Mobile Reklama

Këtu provohet nëse Albin Kurti është vetëm politikan që di të fitojë vota apo lider që di të drejtojë një shtet.

Nuk mund t’i marrësh të gjitha. Nuk mund të kërkosh qeverinë, drejtimin e shumicës parlamentare dhe njëkohësisht të mos krijosh hapësirën politike që opozita të bëhet pjesë e zgjidhjes për Presidentin.

Kurti duhet të ulet me LDK-në dhe partitë e tjera dhe të pranojë një figurë presidenciale që gëzon besim më të gjerë. Jo t’ia falë Presidentin një partie si plaçkë pushteti, por të pranojë që ky institucion të jetë pika e ekuilibrit mes mazhorancës dhe opozitës.

Edhe opozita ka përgjegjësinë e saj dhe nuk mund të refuzojë pafundësisht dialogun. Por barra kryesore bie mbi fituesin. Kur merr votat për të drejtuar vendin, merr edhe detyrimin për të gjetur zgjidhje.

Albin Kurti nuk mund të marrë meritën kur fiton dhe t’ua lërë kundërshtarëve fajin sa herë që institucionet bllokohen.

Kosova nuk ka luksin të shkojë përsëri në zgjedhje. Ka Serbinë përballë, ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, kërkon njohje të reja dhe integrim euroatlantik. Në një moment të tillë, një Kosovë që bllokon vetveten është dhurata më e mirë për kundërshtarët e shtetësisë së saj.

Kurti duhet të zgjedhë: të ruajë deri në fund kontrollin politik apo të bëjë kompromisin që i duhet Kosovës. Vota i ka dhënë të drejtën të qeverisë. Nuk i ka dhënë pronësinë mbi shtetin. Nëse për një karrige Kosova përfundon përsëri në zgjedhje, atëherë problemi nuk është më vetëm zgjedhja e Presidentit. Problemi është filozofia e pushtetit e Albin Kurtit.

Kosova është më e madhe se Vetëvendosje dhe shumë më e madhe se çdo karrige politike. Kurti duhet ta kuptojë këtë para se qytetarëve t’u kërkohet, edhe një herë, të paguajnë faturën e paaftësisë së politikës për kompromis.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?