Aleksandër Frangaj: Shqipëria i thotë “Jo” pluralizmit radioteleviziv

(Botuar me 19 Mars 1995 në KOHA JONE)
Nga Aleksandër Frangaj-
Katër vjet pas pluralizmit politik dhe çlirimit të shoqërisë shqiptare nga monopolet partiake, Radio Televizioni është i vetmi mjet i medias që nuk ka mundur t’i shpëtojë censurës së politikës qeverisëse. Ashtu si në periudhën komuniste, RTV vazhdon të jetë zëdhënës i qeverisë dhe i pushtetit në tërësi, duke mos i hapur rrugë frymës pluraliste të shoqërisë. E nëse për periudhën njëpartiake mund të justifikohet qëndrimi i mbajtur, sot është absurde që një shoqëri pluraliste të ketë një RTV partiako-shtetërore ku për të, pjesa tjetër e politikës dhe e shoqërisë nuk ekziston fare, ose shihet si armike. Kjo vjen për shkak se pushteti i sotëm njëlloj si ai i Enver Hoxhës nuk lejon hapjen e stacioneve private, pra nuk pranon konkurencën. Në rast se Ramiz Alia e lejoi pluralizmin e shtypit, vetëm një javë pas pluralizmit politik, Sali Berisha tre vjet pas ardhjes në pushtet nuk e ka vendosur ende dorëzimin e monopolit të RTV, ashtu siç veproi Enveri për 40 vjet rresht. Kështu, në Evropë deri tani vetëm Shqipëria i ka thënë jo pluralizmit televiziv. Është ironike, por krejt e vërtetë që edhe në Serbi, Millosheviçi ka lejuar media elektronike jo shtetërore. Po kështu Mali i Zi, Maqedonia etj. Edhe në Bullgari është miratuar prej kohësh ligji për RTV privat, por mundësitë financiare nuk kanë lejuar ngritjen e tyre. Ndërkohë në Shqipëri kërkesat janë të shumta për ngritjen e këtyre mediave. Madje në Vlorë dhe në Patos individë kurajozë morën iniciativën dhe ngritën radio private e filluan transmetimet modeste, por që fatkeqësisht pas pak ditësh shteti demokratik i lirisë së mendimit i sekuestroi ato me argumentin e mungesës së ligjit. Kur u miratua ligji për shtypin, ose më mirë të themi, ligji për të futur gazetarët në burg, u premtua se shumë shpejt do të paraqitet për miratim edhe ai për RTV. Kaluan vite dhe as që u bë fjalë për këtë problem. Kohët e fundit, pasi shtypi dhe opozita kërkoi me këmbëngulje pluralizmin e këtyre mediave, Presidenti i Republikës mblodhi disa nëpunës të tij dhe hodhi idenë e RTV publik. Kjo nuk ishte ndonjë shpikje e madhe e Berishës. Miratimi i ligjit për kthimin e RTV shtetëror në RTV publik, pa lejuar RTV private, nuk do të thotë asgjë më shumë se sa ndërrimi i drejtorit Buçpapa në Buçpapa i ri. I kujtdo qoftë e sido që të jetë, një RTV i vetëm pa konkurrentë është i barabartë me RTV e Enver Hoxhës, e përurimet e ujësjellësve të Ramiz Alisë. Edhe pse ka kaluar shumë kohë, edhe pse është ngritur një komision për këtë problem, burime të brendshme të këtij komisioni na bëjnë të ditur se ligji për median publike nuk do të jetë i shoqëruar me atë te medias private. Kjo tregon se pushteti i Berishës, deri pak kohë para dorëzimit të mandatit nuk do të lejojë RTV të pavarur. Berisha me sa duket e ka vendosur që edhe në fushatën e ardhme për zgjedhjet, të jetë i vetëm në ekranin e RTV nëpër mitingjet që do të zhvillojë si lider i PD, duke harruar se ai ekran tashmë për Berishën luan rol të kundërt nga dëshira e tij. Humbja e besimit tek opinioni ndaj RTV, Buçpapa është një dëm edhe për vetë PD e Berishën, por që ky i fundit me sa duket nuk arrin ta kuptojë, por kënaqet kur sheh çdo natë veten në ekran. Duke parë qëllimet e pushtetit, edhe opozita nuk ka luajtur rolin e duhur në Parlament. Ajo është mjaftuar duke kritikuar RTV aktual për qëndrimet e tij, por asnjëherë nuk ka këmbëngulur që Shqipëria të bëhet me pluralizëm televiziv. Është detyrë e çdo politikani e intelektuali të ngrejë zërin që Shqipëria të mos jetë më i vetmi vend në Evropë me monopolin shtetëror te media elektronike.
Aleksandër Frangaj

SHKARKO APP