Alfred Mirashi Milot, shqiptaro-italiani që rikthehet në vendin e origjinës me një kryevepër arti

Intervistoi: Albert Vataj

Është Malësia e Madhe, është Hani i Hotit, është kjo treve e vlerave pasurore të bujarisë dhe trimërisë, urtësisë dhe besës, burrave të pushkës dhe penës, grave të qëndresës dhe legjendave, artistëve të botës së madhe të artit dhe vlerave, e cila do të presë me veprën e tij një nga artisët më të njohur të pikturës dhe skulpturës, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, Alfred Mirashi Milot.

Për piktorin dhe skulptorin, Alfred Mirashi Milot, për farkëtarin e çelësit që i çel botës shpirtin e artistit, fama është fakt, modestia i mbetet vlerë e lartësuar në njerëzoren e një krijuesi, vepra e të cilit është Golgota drejt “kryqëzimit”. Ai ka zgjedhur të mbetet ai, fati i fituar me thonj e me dhëmbë, e shkuara e ngulitur thellë në kujtesën e atyre përvojave ngjethëse të sfidës, për të guxuar më shumë se sa mundet, për të merituar gjithçka që është shpërblim dhe meritë e dinjitetshme.
Alfred Mirashi Milot vjen në Malësi me një nga skulpturat e tij më arrira, vjen të përfaqësojë dhe të ndërkombëtarizojë shpirtin krijues, me të cilin ne lartësojmë ndjenjat dhe vitalizojmë virtytet, i hapim zemrën botës duke u bërë pjesë e së bukurës.

– Alfred Mirash Milot, ju jeni njëri prej 7 fituesve të një konkursi ndërkombëtar, ku pjesëmorën 130 artistë nga gjithë bota në sfidën e hapur nga ministria shqiptare e Kulturës për projektin “Art në Hapësira Publike”, si e pritët këtë triumf?
Për një artist, përfshi dhe mua, çdo betejë është një motivim për të sprovuar forcën e talentit dhe të artit, me të cilin përfaqësohem. Patjetër kjo arritje është një fitore e shumëfishtë, sepse unë kam konkurruar si shqiptaro-italian në vendin tim dhe përgjegjësia për të bërë më të mirën është një obligim i shtuar i ambicies sime si artist. Shfrytëzoj rastin të falënderoj jurinë, e cila përzgjodhi punën time për të përfaqësuar shpirtin tim krijues për Malësinë.

– Krijimtaria juaj artistike identifikohet si një unitet përfaqësimi përmes çelësit, edhe në këtë sfidë ju u paraqitët dhe fituat me veprën “The Albanian Key” me Drejtor artistik, Mille Volti, Michele Stanzione, skulpturë monumentale e cila do të vendoset në rrethrrotullimin e doganës, Hani Hotit, pse pikërisht aty?

Ndoshta është një lloj përmbushje amaneti, apo le të themi një thirrje gjaku, për kryearsyen, se unë jam me origjinë nga Kelmendi, jam një malësor në kuptimin plotë të fjalës dhe të jesh i tillë është krenari por edhe përgjegjësi. Nga kjo trevë, nga këto male, nga kjo epikë e shqiptarisë kanë dalë burra trima dhe të urtë, artistë të kalibrit ndërkombëtarë dhe personalitete të shquara të fushave të ndryshme. Është kjo kerari që kërkon të përfaqësohet dhe të nderohet dhe për mua mbetet një përgjegjësi.

– Puna juaj do të vendoset në Hanin e Hotit, pse pikërisht aty, ndërkohë që ka patur edhe vendndodhje të tjera, për të cilat ju do të pretendonit për të fituar?

Unë në artin tim përfaqësohem nëpërmjet çelësit si simbol dhe Hani i Hotit është një portat më të rëndësishme të Shqipërisë, si e tillë ajo duhet të jetë një portë e hapur mikpritjeje dhe bujarie siç dinë ta japin me zemër dhe me shpirt vetëm malësorët. Hani i Hotit nuk është vetëm një nyjë e rëndësishme ekonomike, por mbi të gjitha është dera nga ku presim dhe përcjellim miq dhe mysafirë, ashtu siç kanë ditur, dinë dhe do të dinë gjithmonë malësorët.

– “The Albanian Key”, Çelësi Shqiptar, simboli i çelësit me dy koka, cila është domethënia artistike, e cila ndoshta u duhet bërë prezent edhe vetë qytetarëve, të cilët ende e kanë të vështirë të pranojnë artin modern, skulpturën konceptuale?
“The Albanian Key”, inspirohet nga Shqiponja, simboli i hyjnisë së krijimit, të natyrës dhe lirisë. Në të gjitha rrafshet e kuptimit dhe të shpjegimit, prirem të besoj dhe të dëshmoj se asnjë zotërues i qiellit dhe lartësisë nuk e rrok lirinë në përmasat e saj më të hyjshme se sa shqiponja, asnjë forcë shprehëse nuk mund të ngjitet aq lart ku ky shpend mitik ndan qiellin dhe lirinë me malet dhe njerëzit. Rrjedhimisht kjo vepër ka këtë shprehi, këtë shpjegim, këtë zbërthim, edhe pse arti në vetvete është ajo çfarë më arsye dhe perceptim artistik arrin të konceptojë dhe të kuptojë gjithkush.

– A mendoni se do të ketë debat për këtë vepër, jo dhe aq për autorin, por për atë çfarë është përgjedhur të vendoset në një rrethrrotullim shumë të rrahur nga të huajt, por kryesisht edhe nga malësorët, të cilët shkojnë dhe vijnë dhe që në dëshirën e tyre do të ishte që ata të përfaqësoheshin me një nga figurat historike të Malësisë?
Si vepra ime ashtu edhe e dy kolegëve, kinezit, Liu Ruowang me “Wolves Coming” që do të vendoset në hyrje të Koplikut ashtu edhe me “Zabel” nga Sadik Spahija në dalje të Koplikut, do të priten me debat dhe kontestim për arsyen e vetme sepse ende nuk e pranojmë artin e mendimit, artin e ides, artin e shprehisë artistike. Në një të sotme që sundohet nga skulptura historike, shtatore apo bustet të legjendarëve, arti i të ardhmes, arti që do të sfidojë kohën, e ka të vështirë të gjej pranim dhe dakordësi. Por ne duhet të përpiqemi t’i bindim se ky art, arti është ai që paraprin, që çel rrugën për të kuptuar dhe përqafuar të renë, natyrisht pa injoruar historinë, vlerat dhe veprën e secilit, përkundrazi duke e konsideruar dhe promovuar atë në një dimension të ri shprehës estetik.

– Cili do të ishte mesazhi që ju do të përcillni, më shumë si malësorë se sa si artist, ose të dyja së bashku?

Ëndrra ime ka qenë dhe mbetet të ndërtoja një vepër homazh për paraardhësit e mi dhe gjithë ato malësor trima, të ditur dhe me një shpirt të pasur, mikpritës dhe bujar. Mbetet për mua një përgjegjësi e madhe të përfaqësohem me artin tim në vendin tim dhe të pritem siç kanë patur mirësinë dhe përzemërsinë, edhe të tjerë, kryesisht italianë, të cilët edhe pse isha shqiptar, ata e vlerësuan dhe përqafuan artin tim si një art të madh. Edhe ne si malësor, siç jemi tashmë pjesë e botës së madhe, e aspiratave pa kufij, duhet të pranojmë me arsye arti atë që skulptura ime vjen të ofrojë. Kam bindjen se malësorët do të dinë të shohin dhe të kuptojnë thelbin e artit tim, artit që do të jetë jo vetëm i imi, as vetëm atyre por i historisë së artit të botës. Unë kam qenë, jam dhe do të mbetem me gjak dhe shpirt malësor dhe arti im është edhe ajo që përfaqëson çdonjërin.

SHKARKO APP