Alibeaj: Ligji Rama-Berisha na la pa para nga shteti, s’marrim lekë nga krim*nelët

Pabarazia e theksuar financiare mes partive politike në fushatën zgjedhore të 11 majit, është denoncuar nga Enkelejd Alibeaj. Ai nënvizon se koalicioni që përfaqëson nuk merr asnjë fond nga shteti për fushatë, por çdo shpenzim e përballojnë nga xhepi i tyre. Deputeti akuzoi PS-në dhe opozitën se janë bashkë prej 35 vitesh dhe përmes luksit të shfrenuar duan të heqin vëmendjen nga problemet e vërteta të shqiptarëve.
”Diferenca mes parave që ofron njëra apo tjetra. E pamë njërën palë te sheshi Nënë Tereza para lumë, me autobusë, luks i madh për një opozitë pamë nga ana tjetër dhe agresivitetin e pushtetit, pompozitet që është në diferencë të theksuar me nivelin ekonomik të familjes shqiptare. Fushata jonë është me zero para të financuara nga shteti, nuk e them për vajtim por për të treguar realitetin i pabarazisë midis subjekteve politike. Pushteti dhe opozita janë një binom i pandarë prej 35 vitesh të cilat tani duan ta mbysin me luksin e shfrenuar hipokrit për të fshehur realitetin; varfërinë depresion, mungesën e shpresës të ideve dhe platformës, për të mbytur atë që shqiptarët do të duan ta shohin me sy”, u shpreh Alibeaj.
Sipas tij mungesa e parave nga shteti për fushatën e tyre është për shkak të ndryshimeve në kodin zgjedhor. ”Ne nuk marrim se pabarazia e sistemit zgjedhor shtrihet edhe në këtë pjesë. Se ligji i parashikuar nga Rama dhe Berisha. Pabarazia është shtrirë jo vetëm në sistemin zgjedhor, por edhe në hapësirën mediatike dhe mbi të gjitha pabarazia financiare deformon ofertat politike dhe pabarazia që i ofrohet zgjedhësit për të hedhur votën. Secili i mbulon kostot me paratë e veta. Ka vështirësi, vetëm printimet për fletushkat dhe brandimin e zyrave elektorale dhe kostot për spote nuk janë kosto të vogla. Nuk dua të qahem e të vajtoj, i dinim rregullat”.
Alibeaj thekson se ka edhe mënyra të tjera për të bërë fushatë, pa fonde nga shteti dhe pa mbështetje nga burime të dyshimta, duke e quajtur këtë një përpjekje të ndershme për të rikthyer politikën te njerëzit.