Alimehmeti: Virusi akoma mes nesh, por me qarkulilim të ulët prej imunizimit, pritet verë e qetë

Në një intervistë për RTV Ora, doktori Ilir Alimehmeti u shpreh se kjo verë na gjen me një numër të lartë personash që janë imunizuar natyralisht nga covidi dhe një pjesë tjetër që janë vaksinuar.

Ai tha se Virusi është akoma mes nesh, edhe pse me një qarkullim shumë më të ultë dhe theksoi se mendohet se ka një imunitet rreth 50%.

Alimehmeti: Kjo verë na gjen me një numër të lartë personash që janë imunizuar natyralisht nga covidi dhe një pjesë tjetër që janë vaksinuar, edhe pse nuk është arritur imunizimi i tufës. Ne jemi në incidencën dy-javore më të ulët tashmë prej kohësh, sepse bëhen mijëra teste javore. Këto janë shenja që na bëjnë që të jemi optimistë për verën. Një nga problemet kryesore vjet ishte një shprehje se virusi nuk ekziston dhe njerëzit u çliruan. Virusi është akoma mes nesh, edhe pse me një qarkullim shumë më të ulët. Unë ndryshe nga vjet shoh një ndërgjegjësim më të madh.

Ne vjet kufijtë i kishim të hapur dhe fluksi më i madh ishte nga Kosova. Gushti ka pasur një kurbë, edhe pse të lehtë, në këtë muaj. Këtë vit edhe Kosova ka një situatë epidemiologjike të mirë, edhe pse kanë mungesë vaksinash. Kosova ka pasur një proces zgjedhor në shkurt dhe gjithë fushata u bë në ambiente të brendshme dhe kështu u rrit kurba në mars. Te ne kishte rritje të kurbës qysh në janar dhe në mars ra ndjeshëm kurba. Tani nuk e dimë fiks sepse nuk kemi një prevalencë në shkallë kombëtare, por mendohet se ka një imunitet rreth 50%.

Alimehmeti shtoi se varianti indian i Covid është testuar me gjakun e peronave që kanë marrë vaksinën dhe është parë se është neutralizuar me vaksinën Pfizer dhe AstraZeneca.

Alimehmeti: Ne nuk parashikojmë dot nëse do të ketë variante që do ta kapërcejnë imunitetin e fituar. Varianti indian ka dy mutacione bashkë. Ky variant është testuar me gjakun e peronave që kanë marrë vaksinën dhe është parë se është neutralizuar. Vaksina Pfizer dhe AstraZeneca ka një efektivitet 88-93% kundrejt një varianti të tillë. Ajo që do të na shqetësonte për rritjen e rasteve, do të ishte nëse do të kishim rritje rastet te personat e shëruar dhe ata që janë vaksinuar.

SHKARKO APP