Alket Rizai në arrati, del në skenë një tjetër vrasje në burgun grek
Alket Rizai, i arratisur nga burgu në Greqi, dyshohet se ishte i pranishëm në një vrasje brenda burgut të Domokosit, disa muaj më parë. Sipas televizionit grek SKAI, pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e punonjësve e vendosin 47-vjeçarin pranë vendit ku, më 15 shkurt 2026, u vra me tre plumba në kokë i burgosuri Antonis Papadatos.
Për vrasjen është arrestuar një i burgosur bullgar, i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa në paraburgim ndodhet edhe shefi i sigurisë së burgut, për shkak të dëshmive kontradiktore. Pamjet tregojnë se viktima u shoqërua drejt zyrës së tij, ndërsa në të njëjtin drejtim shkoi edhe Rizai me disa të burgosur të tjerë. Kamerat kanë regjistruar gjithashtu një përqafim mes Rizait dhe shefit të sigurisë.
Rizai mohon të ketë qenë në dhomën ku ndodhi krimi, por një punonjës i burgut ka deklaruar se e ka parë atë duke dalë menjëherë pas të shtënave. Sipas SKAI, ekspertët kanë gjetur gjurmë gjaku në këpucët e tij dhe gjurmë baruti në rroba.
Pavarësisht këtyre të dhënave, Rizai nuk është akuzuar për vrasjen dhe vijon të ketë statusin e dëshmitarit. Ai është ende në arrati që prej 14 shtatorit, pasi nuk u kthye në burg pas përfundimit të një lejeje 7-ditore. Autoritetet greke dyshojnë se mund të ketë kaluar ilegalisht drejt Shqipërisë, ndërsa vendndodhja e fundit e tij është lokalizuar në Greqinë Veriore.
Arratisja erdhi pas një incidenti me armë në një lokal plazhi në Anavyssos, ku Rizai dyshohet se qëlloi në ajër pas një konflikti, ndërsa një person tjetër hapi zjarr në drejtim të tij. Nga përplasja mbetën të plagosur dy punonjës të lokalit.

