Ambasada amerikane: Institucionet të sigurojnë sa më shpejt çertifikimin e rezultateve

Ambasada amerikanë u bën thirrje institucioneve të sigurojnë certifikimin sa më të shpejtë dhe tërësor të rezultateve. Në një deklaratë për mediat, ambasada vlerëson se zgjedhjet vendore të 21 qershorit kanë qenë paqësore.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë qytetarët e Shqipërisë për ushtrimin paqësisht të të drejtës së tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet vendore më 21 qershor 2015. Numërimi i votave vazhdon dhe u bëjmë thirrje institucioneve demokratike të sigurojnë certifikimin e shpejtë dhe tërësor të rezultateve”, thuhet në deklaratë.

Ambasada e SHBA vlerëson se ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune. “Votimi ditën e zgjedhjeve nuk pati incidente madhore apo akte dhune. Ne i bëjmë jehonë gjetjeve paraprake të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore dhe ndajmë shqetësimet e tyre për blerjen e votave, pretendimet për presione mbi votuesit, institucionet e politizuara zgjedhore dhe parregullsi të tjera. Nxisim qeverinë dhe partitë politike të punojnë për t’i trajtuar këto gjetje dhe rekomandimet e tjera të ODIHR”, përfundon deklarata e ambasadës së SHBA në Tiranë.

SHKARKO APP