Ambasada Amerikane refuzon videon e Tom Doshit

 

Mëngjesi i sotëm i gjeti bashkë Ilir Metën e Saimir Tahirin në zyrën e Edi Ramës. Dy të akuzuarit nga Tom Doshi se kanë urdhëruar vrasjen e tij dhe të Mhill Fufit u thirrën nga kryeministri në një takim bashkë me kryeprokurorin Ardiatik Llalla dhe kreun e Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho. Një takim që zgjati 30 minuta. Duket se nuk kanë patur shumë për të thënë, pasi që të gjithë kanë qenë në dijeni të shqetësimeve të deputetit të Shkodrës. Ai ua kishte thënë 5 muaj më parë planin që Ilir Meta kishte patur për ta vrarë, duke paguar vrasësin me 600 mijë euro.

Ndërsa në zyrën e Ramës bisedohej, personi që dyshohet se ishte kontaktuar nga Meta për të realizuar planin e tij për vrasjen e dy deputetëve, po pyetej në polici. Ai është Durim Bani, një i ri nga Fushë Kruja, i kapur gjatë natës kur po përpiqej të dilte jashtë Shqipërisë, në doganën e Hanit të Hotit, në Shkodër. Akuzohet se mbrëmë kishte kryer një tjetër antentat në Fushë Krujë, ndaj një biznesmeni. Vetë ai i shpëtoi mrekullisht eksplozivit të vënë në makinën e tij, përpara shtëpisë në Fushë Krujë, më 22 shkurt. Pak minuta pas takimit, Prokuroria e Pëgjithshme njofton se ka nisur hetimet dhe se e ka ftuar deputetin Tom Doshi t’i paraqesë provat që ai thotë se disponon. Tom Doshi do t’i kujtonte më vonë gjatë pasdites se ai ia kishte bërë të ditur prokurorisë afro 6 muaj më parë se dispononte prova, por nuk ishte thirrur kurrë për t’u pyetur mbi to.

Ilir Meta qëndron vetëm pak minuta në takim dhe largohet para kohe. Ai po përgatiste lëvizjen e radhës publike për të amortizuar akuzat bombastike të Tom Doshit.

Përpara se Ilir Meta të flasë publikisht, kryeministri Rama që niset për në Vlorë për të shpërndarë certifikata pronësie e dokumenta pensionesh, leshon një akuzë të rëndë për Partinë Demokratike dhe vetë Tom Doshin dhe paralajmëron një fund të palumtur për ta.

“Jam i bindur se telenovela e shemtuar qe ka nisur dje, duke bere bashke per te perbaltur qeverine dhe shumicen parlamentare, nje tufe politikejsh e kriminelesh qe duan te perfitojne prej driteshkurtesise se njeri – tjetrit, do te kete padyshim nje fund te palumtur per ta”, shkruan Rama në Facebook.

Pak minuta më vonë, Ilir Meta i ftoi mediat pranë Kryesisë së Kuvendit. Në komunikimin e parë publik, 24 orë pasi Tom Doshi e akuzoi si porositës vrasjesh, ai s’tha asgjë më shumë sesa Spartak Braho një ditë më parë.

Trazirën që i ka shkaktuar një tjetër histori me video nuk arriti ta fshehë me gjithë përpjekjen për t’u treguar i qetë para kamerave. Ripërsëriti fjalët e Brahos se Tom Doshi i kishte thënë 5 muaj më parë se ishte i shqetësuar pasi për ta vrarë atë dhe Mhill Fufin kishte paguar Agim Rama, kunati i ish –kryeministrit Berisha. Arsyeja: Tentativë për destabilizimin e vendit. Bën edhe një paralajmërim për kryetarin e opozitës, të shprehur në formë këshille, por që ngjan më shumë si kërcënim. I kërkon të jetë i kujdesshëm në deklaratat dhe entusiazmin e tij, sepse Doshi mund ta ndryshojë versionin e të fusë në lojë kunatin e Bashës.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha i përgjigjen nga Selia e PD. Kryetari i opozitës i kujton se e ka vendin në prokurori dhe jo në krye të Kuvendit. Një mocion ndaj tij u vendos në mbledhjen e grupit parlamentar. Basha i tha publikut se largimi i Doshit nuk është ashtu sic kërkon ta shesë Rama, si dekriminalizim të parlamentit, pasi i kujtoi se më parë kishte tentuar t’ia mbyllte gojën me dy negociatorë që e takuan Doshin prej të enjtes, Koço Kokëdhimën e Saimir Tahirin.

Sali Berisha jep detaje të planit dhe të arsyeve se përse Meta dhe sipas tij edhe Rama, kishin rënë dakord për eliminimin e dy deputetëve. Doshin, Rama duhet ta heqë qafe sepse prej kohësh po i sillte probleme. Mhill Fufi duhej eliminuar për motive personale me Metën.

“Bashkërisht (Meta dhe Rama” vendosin, të zhvillojnë një skenar, në të cilin eliminohej fizikisht Tom Doshi për të gjithë problematikën që kishte me Ramën. Dhe Ramës kjo i ngrohte barkun. Por duhej një koncesion në këtë rast, dhe koncesioni ishte Mhill Fufi, i cili duhej eliminuar për motive primitive personale të një njëriu të zhytur në krim këmbë e kokë që ishte Ilir Meta, dhe në këtë mënyrë, Meta krijonte simetrinë, por bënte edhe pas-skenarin e pas-krimit. Pra sic e shihni vendosën së bashku. Skenari dështoi sic dështoi skenari i vrasjes së Pirro Bares”, deklaroi Berisha.

Në shtëpinë e LSI nuk ka qetësi. Ilir Meta nxjerr në një komunikim Ylli Manjanin për të ripërshëndetur vendimin e PS –së për përjashtimin e Doshit dhe për t’u thënë shqiptarëve se e majta e bashkuar është një projekt që e kanë kërkuar prej kohësh të gjithë shqiptarët. Në fakt shqiptarët sot kërkonin të dinin më tepër se çfarë fshihet pas gjithë kësaj historie, pasi nuk ka ndodhur kurrë që një kryetar parlamenti të akuzohet se qëndron pas një urdhëri për eliminin fizik të dy deputetëve.

Në një kohë kur politika vazhdon të shkëmbejë replika e akuza në distancë, ambasada amerikane sqaron përse e quajti Tom Doshin person të përfshirë në veprimtari kriminale dhe thotë se nuk do ta pranonte videon që Doshi pretendon që fakton akuzat e tij. Ambasada i tha Tv Klan se kishte patur shqetësime prej vitesh për deputetin dhe se ato ua kishte paraqitur autoriteteve.Keshtu shkruan lapsi.al i Shkullakut dhe Bushatit.

Tom Doshi vazhdon të qëndrojë në një llogore më vete, tashmë pa përkrahje politike. Nga Facebook, rrjetin ku që dje ka nisur një komunikim intensiv me publikun, ai thotë se e kishte njoftuar prej afro 6 muajsh Kryeprokurorin, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit dhe Ministrin e Brendshëm për një tentativë të Ilir Metës për ta vrarë atë dhe kolegun e tij Mhill Fufin. Për 6 muaj askush nuk ka reaguar. Thotë se quanin vëlla e mik, por e lanë të vritej në pabesi. Nuk i kërkuan kurrë t’i ofronin mbrojtje dhe nuk e thirrën për të marrë prej tij më tepër detaje për skemën e vrasjes. Një tjetër akuzë kjo e rëndë për Prokruorin e Përgjithshëm dhe Kryeministrin Rama, për të cilin thotë se ka marrë anën e vrasësit. Ai tregon si e ka dërguar të porositurin për të kryer vrasjen tek Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por thotë se pas kësaj gjërat kanë ndryshuar duke aluduar për një pazar që u ka ofruar Ilir Meta.

Një tjetë detaj të ri ka në rrëfimin e tij. I porosituri për të kryer vrasjen kishte arritur ta vinte dinamitin në makinën e tij dhe ishte gati për të realizuar planin e vrasjes. Por nuk e kishte shtypur pultin për t’i marrë jetën, një zgjedhje e bërë prej tij kjo, jo prej porositësve. Doshi paralajmëron se jeta e atij që e fali atë, e që tashmë gjendet në polici, është në rrezik. Dhe premton se skema kriminale që sipas tij ka shumë pushtet në Shqipëri, do të zgjidhet. Por nuk thotë se cfarë do të bëjë me videon, provën kyçe që siç ka paralajmëruar do t’ia trondisë themelet kësaj mazhorance.

Por Tom Doshi nuk dorezohet. As Ilir Meta. Vetem Kryeprokurori i Pergjithshem ka ne dore fatin e zbardhjes se kesaj dosje e cila duket se eshte zberthyer, por ne te vertete sapo ka filluar kapitullin e pare. Po dalin fakte interesante se si e nga vjen sulmi ndaj Metes.

SHKARKO APP