Ambasada Amerikane zbardh detajet e deportimit të Sokol Hoxhës: U identifikua pas vitesh me identitet të rremë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas deportimit të Sokol Hoxhës, duke theksuar bashkëpunimin mes autoriteteve amerikane dhe atyre shqiptare për lokalizimin dhe ndjekjen e tij pas një periudhe të gjatë arratie. Sipas njoftimit të ambasadës, Hoxha ishte dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë të kryer në Shqipëri në vitin 2000, ndërsa akuzohej edhe për një tjetër vrasje të ndodhur në Belgjikë në vitin 2010. Autoritetet amerikane bëjnë me dije se ai kishte arritur t’u shmangej institucioneve të drejtësisë për vite me radhë, duke përdorur identitet të rremë, duke siguruar dokumente dhe status ligjor në një vend europian, e më pas duke marrë qëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara me një emër tjetër.
Postimi i plotë
Sokol Hoxha mendoi se mund t’i shpëtonte së kaluarës së tij. I dënuar në mungesë për një vrasje të dyfishtë në Shqipëri (2000) dhe për një vrasje tjetër në Belgjikë (2010), Hoxha kaloi dekada duke iu shmangur autoriteteve të zbatimit të ligjit, duke përdorur një identitet të rremë, duke siguruar status ligjor në një tjetër vend europian dhe përfundimisht, duke përfituar qëndrim të përhershëm të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara nën një emër të rremë.
Kjo ndryshoi falë punës së palodhur të Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS) pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Duke bashkëpunuar me Shërbimin e Marshallëve në SHBA, ICE, Departamentin e Drejtësisë, INTERPOL-in dhe Policinë e Shtetit Shqiptar, DSS luajti një rol kyç në identifikimin e saktë të Hoxhës, duke zbuluar një periudhë gati 30-vjeçare fshehjeje të identitetit të tij.
Ky rast është një kujtesë e fuqishme: Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë e sigurt për ata që keqpërdorin sistemin tonë të imigracionit për t’iu shmangur përgjegjësisë për krime të dhunshme të kryera jashtë vendit. DSS është krenare që qëndron përkrah partnerëve tanë vendas dhe ndërkombëtarë në këtë mision.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?
Results
Vota totale: 4545

