Ambasada ruse në Tiranë: Ne folëm për marrëdhënie të mira, deklarata del tjetër për tjetër

 

Jemi të habitur nga deklarata zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë e publikuar në përfundim të takimit të Ambasadorit të Rusisë në Tiranë, z. Alexander Karpushin, me Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Marrëdhënieve Dypalëshe të MPJ-së së Shqipërisë, z. Sokol Gjoka, të zhvilluar më 27 prill 2015.

          Në këtë deklaratë u shtrembërua njoftimi i Departamentit të Informacionit dhe Shtypit të MPJ-së së Rusisë të dt. 22 prill 2015 në lidhje me incidentin që ndodhi në Maqedoni. Ky njoftim nuk përmban asnjë akuzë ndaj shtetit shqiptar, ndryshe nga siç është pretenduar në deklaratën e lartpërmendur të MPJ-së së Shqipërisë. Madje, njoftimi i MPJ-së së Rusisë të dt. 15 prill 2015 mbi deklaratën e Kryeministrit shqiptar, z. Edi Rama, për bashkimin e mundshëm të Shqpërisë dhe Kosovës, në lidhje me të cilin u iniciua takimi i Ambasadorit rus me z. Gjoka, faktikisht është në një linjë me deklaratën zyrtare të BE-së për këtë çështje.

E konsiderojmë të papranueshëm shtrembërimin e thelbit dhe të karakterit të bisedës së Ambasadorit rus me përfaqësuesin e MPJ-së së Shqipërisë. Toni i deklaratës zyrtare të Ministrisë nuk pasqyron aspak frymën e takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore. Në deklaratë nuk përmendet dialogu konstruktiv mes palëve mbi çështjet dhe perspektivat e marrëdhënieve ruso-shqiptare, të cilave iu kushtua pjesa më e madhe e bisedës. Është e rëndësishme të vihet re se qëndrimet e Rusisë dhe Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës nuk u trajtuan fare nga bashkëbiseduesit.

          Do t’u rekomandonim autorëve të deklaratës të njihen me kuptimin e fjalës “shantazh” dhe të shmangin në të ardhmen përdorimin e saj të papërgjegjshëm dhe jokorrekt në deklarata zyrtare të dikasterit të politikës së jashtme.

          Teksti i publikuar në faqen zyrtare të MPJ-së së Shqipërisë ka shumë pak të bëjë me bisedën e zhvilluar në të vërtetë mes dy diplomatëve. Dhe ky fakt të krijon përshtypjen se deklarata ishte shkruar para takimit të z. Karpushin me z. Gjoka.

          Habinë akoma më të madhe na ngjalli reagimi ndaj deklaratës së MPJ-së së Shqipërisë i disa mediave të respektuara shqiptare. Këto media shkruan për një takim gjoja të zhvilluar më 27 prill 2015 midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, z. Bushati, dhe Ambasadorit rus, z. Karpushin. E konsiderojmë krejt joprofesional lëshimin e pasaktësive të tilla.  

Njoftim për shtyp i Ambasadës së Rusisë në Shqipëri në lidhje me deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë të dt. 27 prill 2015

 

 

SHKARKO APP