FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Kryebashkiaku Llatja, vizitë në mësonjëtoren “Kostandin Kristoforidhi”, dy vite pas hapjes

Në kuadër të vizitës në Athinë, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Kryetaren e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, vizituan klasën e gjuhës shqipe pranë New York College, ku prej dy vitesh funksionon mësonjëtoria “Kostandin Kristoforidhi”.
E hapur në vitin 2024, kjo ishte mësonjëtoria e parë e gjuhës shqipe në këtë institucion në Athinë, një iniciativë e ndërmarrë nga Shoqata e Elbasanit, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Këshillin e Qarkut, si dhe me mbështetjen e komunitetit shqiptar në emigracion. Rreth 30 nxënës u bënë pjesë e kësaj nisme që në fillimet e saj, duke krijuar një hapësirë të qëndrueshme për mësimin e gjuhës dhe njohjen e kulturës shqiptare.
Gjatë vizitës, delegacioni u takua me nxënës dhe mësues nga Elbasani, të cilët me përkushtim vijojnë të ruajnë dhe përcjellin gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar te brezat e rinj. Kjo nismë tashmë është kthyer në një pikë referimi për komunitetin shqiptar në Athinë.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të vyer, Kryetari Gledian Llatja u dorëzoi “Mirënjohjen e Qytetit” dy mësueseve, Valentina Bozhiqi dhe Sonila Lusho, për përkushtimin e vazhdueshëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe identitetit kombëtar.
Gjatë fjalës së tij, Llatja theksoi se ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë është një mision i përbashkët dhe një investim i rëndësishëm për brezat që rriten larg atdheut.
Kjo vizitë rikonfirmon angazhimin institucional për të mbështetur çdo iniciativë që forcon lidhjen e diasporës me rrënjët, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?