
Muaji dhjetor pritet të shoqërohet me një sërë grevash në Itali, të cilat do të prekin transportin ajror, atë hekurudhor, shërbimin e taksive dhe transportin publik urban. Protestat e paralajmëruara nga disa sindikata do të zhvillohen në data të ndryshme gjatë muajit, duke krijuar vështirësi për udhëtarët dhe qytetarët që përdorin çdo ditë këto shërbime.
Greva e parë kombëtare është planifikuar më 4 dhjetor, ndërsa ndalesa të tjera do të vijojnë më 14, 15, 16, 17 dhe 18 dhjetor. Muaji nis me një grevë të përgjithshme kombëtare, të shpallur nga disa organizata sindikale, mes tyre Cub, Adl Varese, Sgb, Sbm, Sgc dhe SI-Cobas, me mbështetjen edhe të AL-Cobas, Lmo, Orsa dhe Usb Lavoro Privato.
Greva do të prekë disa sektorë:
Transportin ajror: nga mesnata deri në orën 23:59 të 4 dhjetorit.
Transportin hekurudhor: nga ora 21:00 e datës 3 dhjetor deri në orën 21:00 të datës 4 dhjetor.
Autostradat: nga ora 22:00 e datës 3 dhjetor deri në orën 22:00 të datës 4 dhjetor.
Transportin publik lokal: me orare dhe modalitete që do të përcaktohen nga autoritetet territoriale.
Më 14 dhjetor, greva do të prekë veçanërisht aeroportet e Romës, Fiumicino dhe Ciampino.
Parashikohen:
Grevë 24-orëshe nga punonjësit e kompanisë Aviation Services.
Grevë 8-orëshe, nga ora 10:00 deri në 18:00, nga punonjësit e ADR Security.
Ndërkohë, protesta do të përfshijë edhe transportin publik lokal në disa zona të provincës së Krotones dhe në Rende, ku do të ndalen punonjësit e kompanive Autolinee Romano Regionali, Fratelli Romano dhe Fasa.
Greva në këto shërbime është parashikuar nga ora 10:59 deri në 14:59.
Më 15 dhjetor, radha do të jetë e taksive, të cilat do të hyjnë në grevë nga ora 08:00 deri në 22:00. Po ashtu, punonjësit e kompanisë Enav në aeroportin Guglielmo Marconi të Bolonjës do të zhvillojnë një grevë 24-orëshe.
Ndërprerje të transportit publik lokal do të ketë edhe në Casale Monferrato, në provincën e Alessandrias, nga ora 09:00 deri në 11:30.
Dita e 16 dhjetorit parashikohet të jetë një tjetër datë me ndërprerje të shumta në transport. Në sektorin ajror, punonjësit e kompanisë La Lucente, e cila merret me pastrimin në aeroportin e Bolonjës, do të protestojnë nga ora 11:00 deri në 15:00.
Në transportin publik lokal do të ketë greva në:
Lecce, nga punonjësit e kompanisë FS Sud Est, nga ora 08:30 deri në 12:29.
Napoli, ku punonjësit e Air Campania do të zhvillojnë grevë 24-orëshe.
Genova, ku punonjësit e AMT do të ndalen për katër orë.
Ndërkohë, në sektorin hekurudhor do të protestojnë punonjësit e kompanisë Italo NTV.
Greva do të prekë personelin operativ dhe ekipet e trenave nga ora 03:00 e datës 16 dhjetor deri në orën 02:00 të datës 17 dhjetor. Për pjesën tjetër të personelit është parashikuar ndërprerje nga ora 09:01 deri në 16:59.
Kalendari i grevave mbyllet me dy data të tjera:
17 dhjetor: grevë në sektorin e shërbimeve të kontraktuara për hekurudhat.
18 dhjetor: grevë në sektorin e transportit të mallrave.
Kështu, dhjetori do të jetë një muaj me disa ditë problematike për transportin në Itali, veçanërisht për udhëtarët që përdorin avionët, trenat dhe linjat e transportit publik.
Ata që kanë planifikuar udhëtime gjatë këtyre datave duhet të kontrollojnë paraprakisht njoftimet e kompanive ajrore, hekurudhore dhe të transportit publik, pasi shërbimet dhe oraret e garantuara mund të ndryshojnë sipas zonës dhe operatorit.
