
Tirana do të përkujtojë më 26 nëntor 114-vjetorin e ngritjes së flamurit, përmes një sërë aktivitetesh të organizuara nga Prefektura e Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Aktivitetet synojnë të nderojnë historinë dhe trashëgiminë e kryeqytetit, të ruajnë kujtesën historike dhe të përcjellin te brezat e rinj vlerat që kanë formësuar identitetin e qytetit.
Ceremonia zyrtare përkujtimore do të nisë në orën 09:30, pranë monumentit “Mozaiku i Flamurit”, përpara ish-Bibliotekës së Vjetër Kombëtare, në rrugën “Xhorxh W. Bush”, përballë Parlamentit të Shqipërisë.
Në vijim të aktiviteteve, në orën 17:00, në Kinema Millennium, do të shfaqet filmi i ri dokumentar “Qazim Mulleti, ai i vërteti”, me skenar dhe regji nga Ylli Pepo dhe kamerë nga Xhemal Reçi. Dokumentari vjen në kuadër të 114-vjetorit të Pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Tiranë, nën kujdesin e veçantë të prefektit të Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, Shoqatës “Tirana” dhe familjes Mulleti.
Përmes këtij realizimi kinematografik, publiku do të ketë mundësinë të njihet më nga afër me figurën e Qazim Mulletit, si dhe me një kapitull të rëndësishëm të historisë së kryeqytetit. Prefektura e Qarkut Tiranë dhe Bashkia e Tiranës kanë ftuar përfaqësuesit e institucioneve, mediave dhe qytetarët të bëhen pjesë e aktiviteteve përkujtimore, të cilat synojnë të forcojnë lidhjen e qytetarëve me historinë, identitetin dhe trashëgiminë e kryeqytetit.
