
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka renditur propozimet që sipas tij, mund t’i japin fund asaj që e cilëson si “regjimi i Arbitraritetit Ekstrem”. Përmes një postimi në rrjete sociale, ai thotë se zgjidhja nis me rikthimin te Kushtetuta e para ndryshimeve të vitit 2008, hapjen 100% të listave për deputetët dhe këshilltarët bashkiakë, sanksionimin në Kushtetutë të një Qeverie Teknike përpara çdo procesi zgjedhor, si dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli.
“Vetëm rikthimi te Kushtetuta e para ndryshimeve të vitit 2008, listat 100% të hapura për deputetët dhe këshilltarët bashkiakë, sanksionimi kushtetues i Qeverisë Teknike përpara çdo palë zgjedhjesh dhe zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli mund t’i japin fund regjimit të Arbitraritetit Ekstrem, të instaluar prej 18 vitesh (nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008), që ka detyruar mbi 1 milion shqiptarë të largohen nga vendi dhe që ka zhytyr në varfëri ekstreme gjysmën e shqiptarëve që jetojnë këtu. Kushdo që nuk i pranon këto zgjidhje i shërben regjimit të Arbitraritetit Ekstrem”,-shkruan Meta.