
Kriza e Manchester Cityt po thellohet dhe Erling Haaland nuk e fsheh zhgënjimin për rezultatet e fundit të skuadrës. Barazimi 2-2 ndaj Napolit në javën e pestë të Champions League ka shtuar shqetësimet në kampin anglez, ndërsa sulmuesi norvegjez pranon se ekipi duhet të reagojë sa më shpejt.
Në një prononcim për “beIN Sports”, Haaland e cilësoi pikën e marrë në Napoli si pozitive, duke pasur parasysh mënyrën se si u zhvillua takimi. Megjithatë, ai theksoi se objektivat e Cityt janë shumë më të larta.
“Arritëm të riktheheshim në lojë dy herë. Duke parë rrjedhën e ndeshjes, barazimi është një pikë e mirë, por ne kërkojmë më shumë. Duhet të përmirësohemi, të gjejmë mënyrën për ta kontrolluar më mirë ndeshjen dhe të zhvillojmë paraqitje më të mira”, u shpreh norvegjezi.
Sulmuesi pranoi se nuk e ka të qartë se ku qëndron problemi i skuadrës, por ndjeu se diçka nuk po funksionon siç duhet në ndeshjet e fundit.
“Nuk e kam idenë se çfarë na ka munguar. Megjithatë, në ndeshjet e fundit është ndier se diçka nuk po shkon plotësisht në drejtimin e duhur. Duhet të zbulojmë se cili është problemi”, deklaroi ai.
Statistikat tregojnë një periudhë të vështirë për ekipin e Pep Guardiolës. Në shtatë ndeshjet e fundit zyrtare, Manchester City ka arritur të fitojë vetëm dy herë, ndërsa fitorja e fundit në Premier League daton më shumë se një muaj më parë.
Në një tjetër prononcim për “TNT Sports”, Haaland shpjegoi edhe vështirësitë që shfaqen kur rezultatet nuk janë pozitive.
“Kur fiton, gjithçka është e thjeshtë dhe e di saktësisht se çfarë duhet të bësh. Kur humbet, fillon të vësh gjithçka në diskutim”, tha sulmuesi.
Haaland foli gjithashtu për përgjegjësinë që ndien ndaj Manchester Cityt, duke theksuar se dëshira e tij mbetet të fitojë trofe dhe të ndihmojë skuadrën të rikthehet te rezultatet pozitive
“Duhet të qëndrojmë pozitivë dhe të nxjerrim më të mirën nga çdo lojtar. Me apo pa shiritin e kapitenit, ndiej një përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse gjithçka që dua është të luaj për këtë klub dhe të fitoj ndeshje me Cityn. Por në këtë moment nuk po ia dalim dhe kjo dhemb”, përfundoi ai.
