Ambasadori gjerman Peter Zingraf: Qeveria shqiptare ka plotësuar çdo kusht të Gjermanisë dhe BE
Nga Nilda Halili-
Ambasadori gjerman, Peter Zingraf, ka folur sot për news24, ku ndër të tjera ai ka vlerësuar punën e kryeministrit Rama në përmbushjen e gjithë kushteve të parlamentit gjerman dhe të BE. Ai tha prerë se tashmë Shqipëria nuk ka se ç’të plotësojë më tepër, sepse topi është në fushën e BE.
Ambasadori gjerman theksoi se “Edhe njëherë dëshiroj të theksoj, ne duam që negociatat e anëtarësimit të fillojnë sa më shpejt dhe nuk ka më kushte për të përmbushur për ta bërë këtë. Në fakt raportin e DASH une nuk mund ta komentoj sepse nuk e njoh ende në hollësi. Gjithesesi ajo që mbetet, kushtet bazë për afrimin me procesin e çeljes së negociatave janë përmbushur tanime, sikunder janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe pse puna në këtë drejtim duhet të vijojë më tej”.
Ndërkohë ambasadori tha se kancelari i ri gjerman takimin e parë me kryeministrat e Rajonit të Ballkanit Perëndimor e bëri me kryeministrin Rama.
Konkretisht ambasadori shtoi sqaroi se “më duhet të them në radhë të parë se takimi mes kryeministrit Rama dhe Kancerali Federal Scholz ka qenë takimi i parë me një kryetar qeverie nga rajoni dhe ishte koha që të konfirmohej edhe njëherë sesa i rëndësishëm është ky rajon për qeverinë federale. Gjithashtu ishte momenti i duhur për të thënë që të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë tanimë për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Gjermania ka dashur të falenderojë edhe Shqipërinë për faktin që ajo është në anën e partnerëve perëndimorë si anëtar i NATO-s, si anëtar i përkohshëm i Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, pra si partner i ngushtë i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikes. Unë mendoj që Shqipëria në këtë moment nuk mund të bëj diçka konkrete për shpejtimin e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit, por ajo që mund të bëj është të vijojë më tej me reformat e saj. Ne dëshirojmë që Shqiperia dhe Maqedonia e Veriut të qëndrojnë së bashku për nisjen e negociatave”.
Ndërsa në lidhje me ngjarje te brendshme në PD, ambasadori shtoi se duhet gjetur një zgjidhje përbashkimi dhe një Udhëheqës që shikon nga e ardhmja.
Nënkuptimi gjerman është i qartë se çka nënkupton gjetja e një drejtuesi të ri në PD përbashkues.
Kurse pyetjes për nongrata të Sali Berishës, ambasadori gjerman dha një përgjigje diplomatike pa thënë as “po” e as “jo”, në sensin që e mbështet apo jo vendimin amerikan.