Ambasadori Lu në burgun e Spaçit

 

 

Lu prapë në lëvizje nëpër Shqiperi. Çdo vizitë e tij është mesazh për politikën dhe publikun. AI ka vizituar sot burgun e Spaçit. Në faqen në Facebook të ambasadës ai ka shpërndarë disa foto dhe një shënim të shkurtër.

“Sot, së bashku me kolegët e mi, vizituam burgun e Spaçit, ku mbetëm të tronditur nga ironia e përplasjes së dëshmisë të brutalitetit njerëzor me bukurinë e peisazhit mahnitës malor të kësaj zone.Vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë, dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje”, shkruan Lu.

Diplomati amerikan rrëfen se stërgjyshja e tij kishte vdekur në një burg komunist të Kinës dhe vizita e tij në Spac ishte një lloj përkujtimi për të.

“Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë. Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë, dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot”- thotë Lu.

Ambasadori amerikan inkurajoi të rinjtë që të vizitojnë Spacin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend.

SHKARKO APP