AMC jep bursa për studentët e shkëlqyer

Ashtu siç është bërë traditë, AMC vazhdon të mbështesë me bursa universitare studentët me rezultatet më të larta. Këtë vit 6 studentë kanë përfituar bursa për vitin akademik 2014-2015, të cilët janë përzgjedhur nga universitetet përkatëse, bazuar në rezultatet e tyre. Studentët e Fakultetit Ekonomik dhe Universitetit Politeknik janë përfituesit e këtij viti.

Programi i akordimit së bursave për studentët e shkëlqyer aplikohet prej vitesh nga AMC. Prioriteti dhe qëllimi kryesor është mbështetja e studentëve më të mirë dhe stimulimi i tyre përmes bursave të ekselencës. Me anë të këtij programi, AMC ndihmon zhvillimin e institucioneve arsimore dhe shoqërisë. Kjo ndikon edhe në rritjen e cilësisë së universiteteve tona, ku këta studentë me pas do  t’i shndërrojnë rezultatet e tyre të shkëlqyera në kontribut për zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

Studentët e përzgjedhur do të jenë gjithmonë bashkëpunëtorë të AMC, edhe gjatë periudhës së studimeve, por edhe pasi të japin kontribut konkret në fushat që kanë zgjedhur. Disa prej studentëve që i kanë përfituar këto bursa, kanë zhvilluar ndër vite praktikat mësimore pranë kompanisë, si edhe një pjesë e tyre janë punësuar në AMC. Për AMC-në, mbështetja për promovimin e studentëve më të mirë, përgatitjen dhe edukimin e një klase elitare studentësh është krenaria e universiteteve, por edhe e vetë kompanisë.

Bursat AMC mbulojnë të gjithë periudhën e studimeve universitare, nëse studentët vazhdojnë me rezultate të shkëlqyera akademike. AMC ka mbështetur vit pas viti shumë nga studentët e përfshirë në program, pasi kanë ruajtur rezultatet e mira. Të gjithë këtyre studentëve u ofrohen mundësi praktike mësimore dhe punësimi në kompaninë AMC.

SHKARKO APP