Amnistia fiskale, Buxhuku: Rrezikohet që të futen para të cilat burojnë nga grupe kriminale
Në një intervistë për Ora News, kreu i Konfindustria Gjergj Buxhuku u shpreh se paratë e amnistisë fiskale duhet të shkojnë në favor të interesit publik.
Buxhuku tha se rrezikohet që këto paratë që do të futen në ekonomi rrezikojnë që të jenë para të pista nga aktivitete kriminale.
“Thelbi është që përveç atyre miratimeve që duhen marrë, duhet ngritur gjithashtu struktura që të sigurojnë që këto para do të shkojnë për interesin publik. Në fakt të gjitha amnistitë që janë bërë në Shqipëri, të gjitha kanë qenë kundër interesit publik dhe këto kanë sjellë një zhvillim negativ në ekonomi dhe në paqen sociale.
Nëse mund të ketë fluks parash që futen, mund të përdoren kundër interesit publik. Fakt është që para me potencial të lartë të të qenit jo të pastra mund të jenë futur nga kompani off-shore dhe me shumë mundësi këto para mund të burojnë nga grupe kriminale brenda Shqipërisë, por edhe grupe ndërkombëtare dhe futen në vend përmes investimeve që bëjnë këto kompani që janë regjistruar në parajsa fiskale. Në vendet e zhvilluara për formalizimin e këtyre parave ka pagesa shumë të larta që shkojnë deri në 40%, por në Shqipëri ka një funksionalitet dhe ligje që nuk e lejojnë, duke u futur në investim dhe duke dalë me fitim”, shprehet Buxhuku.
Kreu i Konfindustria u shpreh se institucioni që ai drejton është kundër amnistisë fiskale që po ndërmerr qeveria.
Buxhuku tha se për këtë nismë nuk është marrë miratimi paraprak i institucioneve të BE-së.
Sipas Buxhukut, mosmiratimi nga këto institucione së pari do të cenonte thelbin e kësaj amnistie dhe së dyti do të dëmtonte integrimin e Shqipërisë në BE.
“Konfindustria është kundër nismës që qeverisë për amnistisë fiskale. Fakt është që nuk e dimë deri tani propozimin e qeverisë se si do të realizojë këtë amnisti fiskale dhe nuk e dimë nëse qeveria ka marrë miratimi ne strukturave BE-së, të cilat janë shumë të ndjeshme për nisma të tilla, pasi kanë lidhje me rrezikshmërinë e pastrimit të parave, që është një aktivitet që mund ta kalojë territori ne republikës së Shqipërisë, duke synuar vetë këto vende.
Para dy muaj, institucionet e BE-së rifutën Shqipërinë në zonën gri të pastrimit të parave dhe pa një miratim të tyre, mund të lindë ideja që ata janë të shqetësuar dhe mund të shtrojnë çështjen që ky pastrim parash mund të shtrohet në mënyrë ligjore. Ne nuk e dimë qëndrimin e tyre, i cili është shumë i rëndësishëm, pasi mund të dëmtojë integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe në strukturat euroatlantike. Nëse nuk merret një miratim nga partnerët tanë ndërkombëtarë, mund të cenohet vetë thelbi i amnistisë fiskale sepse në çdo rast, Shqipëria është një vend me sovranitet të kufizuar, pasi këto struktura, në një kohë të dytë, mund të kërkojnë shqyrtimin e pastrimit të parave nga subjekte të ndryshme. Nëse nuk merret miratimi i tyre, kjo nismë mund të dështojë”, tha Gjergj Buxhuku.
Buxhuku shtoi se amnisti të tilla realizohen nga shtete të fuqishme dhe që garantojnë që të ketë një ekonomi formale.
“Amnisti të tilla realizohen nga shtete të fuqishme dhe kanë institucionet që garantojnë, që nuk futen para me natyrë të zezë, të grupeve kriminale e terroriste, si dhe kanë institucione që garantojnë që të ketë formalizim ekonomie pas kësaj nisme. Një shtet në mënyrë të herëpashershme kryen amnisti fiskale në thelb tregon se nuk është shtet serioz dhe nxit informalitetin në ekonomi, pasi kur dy subjekte në treg, njërit i falet dhe tjetrit jo, do bëjë që të rritet informaliteti. Të mos harrojmë që informaliteti është shumë i madh në ekonominë shqiptare, që arrin nga 35-50%, prandaj duhet menduar mirë kur do të bëhet një amnisti e tillë”, tha Gjergj Buxhuku.