Amnistia në burgje, kategoritë që do të lënë qelitë. Përfitojnë rreth 600 të dënuar
570 të dënuar mund të fitojnë lirinë nga qelitë e burgimit falë Amnistisë të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Në draft është parashikuar që të pushojë ndjekja penale për pjesën me të madhe të kundërvajtjeve penale që dënohen deri në 2 vite burg. Nga ana tjetër, përfitojnë nga 1 vit ulje dënimi të gjithë të dënuarit burra dhe gra, si edhe të miturit që nuk janë pjesë e amnistisë. Këtu përjashtohen të dënuarit me burgim të përjetshëm, të dënuarve për vrasje ose ato që janë subjekt i SPAK. Projekti i këtij ligji i është përcjellë për miratim Kuvendit. Pas kalimit në Parlament, ku kërkon 84 vota pro, ligji “për dhënie amnistie” është parashikuar t’i fillojë efektet 15 ditë pas botimit në fletore zyrtare.
Përjashtohen nga vuajtja e dënimit:
1-Personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.06.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
2-Personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, për dënime të dhëna deri në datën 30.06.2023, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
3-Personat meshkuj, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
4-Personat femra, dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 4 vjet.
5-Personat e dënuar femra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
6-Personat e dënuar meshkuj, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 65 vjeç.
7-Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Të gjithë personat e dënuar, të cilët nuk plotësojnë kriteret për t’u përjashtuar nga vuajtja e dënimit, sipas pikës 1, të këtij neni, ose, edhe pse plotësojnë kriteret për përfitimin e amnistisë sipas këtij neni, nuk përjashtohen nga vuajtja e dënimit për shkak të kritereve ndaluese të përcaktuara në pikën 1 dhe 2, të nenin 4 të këtij ligji, u zbritet:
1 vit e gjysëm për personat e dënuar, gra, dhe të miturve;
1 vit për personat e dënuar, burra.