AMP arreston 4 efektivë policie për shpërdorim detyre
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë katër punonjës policie në Shkodër, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë nisur pas konstatimit se shtetasi Hasan Verracaku, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, nuk është gjetur në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje policore.
Pas veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e AMP-së, u bë arrestimi në flagrancë i katër efektivëve të Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare në Shkodër. Të arrestuarit janë inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj dhe punonjësi Ridvan Zefi.
Sipas AMP-së, dyshohet se moszbatimi i detyrës së mbikëqyrjes ka bërë të mundur largimin e personit nën masë sigurie, duke krijuar dyshime për konsumimin e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”. Hasan Verracaku dyshohet se ka konsumuar veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer kushtet e vendosura nga gjykata.
KOHA JONË SONDAZH

