AMP në aksion, arrestohet efektivi i Policisë në Durrës, procedohen dy të tjerë
Operacioni i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka çuar në arrestimin në flagrancë të një punonjësi të Policisë dhe procedimin në gjendje të lirë të dy efektivëve të tjerë, të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Operacioni është finalizuar më 15 shtator 2026, në kuadër të procedimit penal nr. 100/2026, pas një hetimi të zhvilluar me metoda speciale nga Drejtoria Rajonale Durrës-Kavajë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të AMP-së, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në përfundim të operacionit është arrestuar në flagrancë efektivi S.M., me detyrë Trupë Shërbimi Patrullë e Përgjithshme.
Ndërkohë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” janë referuar në gjendje të lirë edhe dy punonjës të Policisë, S.H., me detyrë Specialist për Rendin në Komisariatin e Policisë Durrës, dhe A.K., me detyrë Trupë Shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës.
Hetimi është zhvilluar në kuadër të procedimit penal për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, materialet e përpiluara janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme sipas ligjit.
KOHA JONË SONDAZH

