Analfabetizmi tek të rinjtë, alarm për arsimin, Fieri regjistron shkallën më të lartë për grupmoshën 10-19 vjeç
Rezultatet e Censit të vitit 2023 tregojnë një shkallë të alfabetizmit (aftësia për të lexuar dhe shkruar një deklaratë të shkurtër dhe të thjeshtë për jetën e tyre të përditshme) prej 97.7% për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart. Shkalla e alfabetizmit për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 99.1%.
Sipas raportit të Censit, Banka Botërore vlerësoi se në vitin 2022, 87 përqind e popullsisë botërore janë të aftë të lexojnë dhe të shkruajnë një deklaratë të shkurtër dhe të thjeshtë për jetën e tyre të përditshme, ndërsa 13 përqind ishin analfabetë. Në Shqipëri, shkalla e analfabetizmit për popullsinë e moshës 15 vjeç e lart është 2.3%. Në personat e moshës 70 vjeç e lart vihet re se shkalla e analfabetizmit është më e lartë, duke u vlerësuar në masën 7.6%.
Duke marrë shkas ngaa 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, “Scan Intel” ka analizuar më tej të dhënat e Censit duke u përqëndruar te norma e analfabetizmit për grupmoshën 10-19 vjeç sipas qarqeve. Është marrë në fokus kjo grupmoshë pasi përkon me nxënësit në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm.
Sipas shifrave, qarku me shkallën më të lartë të analfabetizmit për grupmoshën 10-19 vjeç është Fieri. Ky grup në këtë qark përbën rreth 1.2% të popullsisë së të njejtës grupmoshë, ose në shifër absolute janë 299 të rinj. Gjirokastra ndjek në radhë me një normë prej 1.1%, pasuar nga Shkodra dhe Dibra me 0.9% secila.
Qarqet me normën më të ulët të analfabetizmit të grupmoshës 10-19 vjeç ndaj totalit së të njejtës grupmoshë janë Tirana dhe Vlora me 0.6% secila.
Duhet të theksojmë se numri më i lartë i analfabetëve të kësaj grupmoshe nuk e kanë ndjekur asnjëherë arsimin. Ky është një moment kur duhet të ngremë një tjetër pyetje. Përse këta të rinj nuk e ndjekin shkollën? Varfëria është një nga arsyet kryesore që detyron të rinjtë të braktisin shkollën për të punuar dhe siguruar të ardhura për familjen. Emigrimi, problemet familjare, mungesa e mbështjetes, bullizmi dhe dhuna jnaë disa faktorë të tjerë që ndikojnë gjithashtu.
scan tv