Analiza e DW/Ardhja e Trump do të detyrojë Kosovën dhe Serbinë për shkëmbime territoresh
“Ekziston rreziku që asambleja e re e Parlamentit Evropian të fokusohet në komisione tërësisht tek problemi i Ukrainës dhe t’i kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor. Kjo është e rrezikshme sepse edhe në këtë rajon ekziston rreziku i ndezjes së konflikteve të vjetra dhe krijimit të pikave të reja të nxehta”
-Botuar në radion gjermane DW-
Politika gjermane ndaj Ballkanit Perëndimor po përballet me sfida të reja: përbërjen e re të parlamentit në Bruksel, rikthimin e mundshëm të Trump dhe situatën gjithnjë e më të paqëndrueshme në vetë rajon.
Njëzet vjet pas zgjerimit të fundit të madh të Bashkimit Evropian është një rast për të hedhur një vështrim ndaj politikës së jashtme gjermane gjatë kësaj periudhe, sidomos lidhur me marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore, shumica e të cilave presin të anëtarësohen në BE.
Prandaj këtë javë në parlamentin gjerman u diskutua mjaft për këto tema e madje jo si zakonisht në komisione apo në seanca, por në forume speciale, që lidhen në një mënyrë apo në një tjetër me Evropën Juglindore.
Shoqata për Evropën Juglindore (SOG) organizoi dy tubime, njëri me rastin e 80-vjetorit të lindjes së ish-presidentit dhe nderit të SOG-së dhe politikanit, Gernot Erler, dhe tjetri me rastin e dhëbies së Çmimit të Solidaritetit të Gazetarëve të SOG-së, akorduar gazetarit Xhabir Memedi Deralla.
Në pozicionin e tij si Sekretar Shteti në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në kabinetin e parë të Angela Merkelit, Gernot Erler e formësoi në një masë të konsiderueshme drejtimin e politikës së jashtme gjermane edhe lidhur me Evropën Juglindore. Politikani social-demokrat ishte njëri nga ata që u angazhua fort për njohjen e Kosovës, gjë që siç tha politikani dhe panelisti kristian-demokrat Peter Beyer, nuk ishte e vetëkuptueshme në Berlinin politik.
Eshtë interesant fakti se në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën kohë, që zhvillohej forumi kryetarja e re e Kuvendit të Serbisë dhe ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ishte për vizitë në ndërtesën e Bundestagut, por ajo nuk mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga Shoqata për Evropën Juglindore (SOG).
Përveç Peter Beyer dhe Manuel Sarrazin, kryetari i SOG-së dhe i ngarkkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për çështjet e Evropës Juglindore, në forum ishte i pranishëm edhe Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.
Konflikte të reja të mundshme në Ballkan
I pyetur nga DW lidhur me ripërtëritjen e konflikteve të armatosura në Ballkan, Erler tha se ky opsion është i mundshëm nisur nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë së fundmi. “Ne gjithashtu duhet të mbajmë parasysh se është në interesin e Putinit të nxisë një konflikt të ri të armatosur në Evropë, i cili do të largonte vëmendjen nga lufta në Ukrainë dhe do të përfaqësonte skenarin më të keq të mundshëm për Perëndimin”, tha Erler.
Hoxhaj nuk mendon se mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë konflikte të reja si ai i fundit të viteve nëntëdhjetë. “Por në të njëjtën kohë duhet thënë se deri vonë askush nuk e besonte se kishte ende ushtarë që ishin gati të sulmonin ushtarët e NATO-s, siç ndodhi vitin e kaluar në veri të Kosovës”, paralajmëroi ish-ministri i Jashtëm. Ai tha se “Serbia është e gatshme të bëjë shumë për të aneksuar veriun e Kosovës”.
Në intervistën e tij për DW Erler shpreh disa herë habinë e tij për faktin se presidenti serb Aleksandar Vuçiq arrin ta shesë veten si mbështetës i madh i anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, ndërsa nga ana tjetër punon në favor të Rusisë. “Jam i befasuar që Brukseli tani ka vendosur të përfundojë negociatat me Gjeorgjinë për shkak të miratimit të ligjeve që favorizojnë Rusinë, kur në të njëjtën kohë Serbia bën lëshime shumë më të mëdha ndaj Kremlinit”, tha Erler.
Frikë nga Grenell dhe Trump
Gjatë forumit u përmend vazhdimisht çështja e ndryshimit të marrëdhënieve globale dhe ndikimi në Evropën Juglindore në rast të rifitores së Donald Trumpit. Përfaqësuesi i kristian-demokratëve dhe ish-raportuesi për Ballkanin Perëndimor i grupit parlamentar të Demokristianëve në Bundestag, Peter Beyer, i kushtoi vëmendje veçanërisht ish-ambasadorit të Trumpit në Berlin dhe të dërguarit të mëvonshëm special të Shtëpisë së Bardhë për negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell.
“Grenell ka qenë vazhdimisht në rajon dhe përsëri në vitet e fundit nën kush e di se çfarë justifikimi,” tha Beyer, i cili ka qenë koordinator për marrëdhëniet transatlantike në qeverinë e Angela Merkelit. Ai shprehu frikën se nëse Trump vjen sërish në pushtet, çështja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën BE dhe Gjermania e refuzojnë si një opsion jashtëzakonisht të rrezikshëm, mund të shtrohet sërish për diskutim.
“Trumpi është i bindur se nëse vjen në pushtet, do ta përfundojë luftën në Ukrainë brenda një dite dhe ndoshta mendon se do ta zgjidhë edhe problemin e Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se duhet të përgatitemi për shumë gjëra. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për Bosnjë-Hercegovinën”, paralajmëroi Beyer.
Ballkani Perëndimor në plan të dytë edhe në Bruksel
Në forum u fol edhe për fokusin e BE-së në Ballkanin Perëndimor pas ndryshimeve në Bruksel, sepse përbërja e re e Parlamentit dhe Komisionit të BE-së mund ta kalojë Ballkanin Perëndimor në plan të dytë.
“Ekziston rreziku që asambleja e re e Parlamentit Evropian të fokusohet në komisione tërësisht tek problemi i Ukrainës dhe t’i kthejë shpinën Ballkanit Perëndimor. Kjo është e rrezikshme sepse edhe në këtë rajon ekziston rreziku i ndezjes së konflikteve të vjetra dhe krijimit të pikave të reja të nxehta”, tha një nga pjesëmarrëset e forumit, ish-zëvendëspresidentja e qeverisë bullgare, Meglena Pugaçieva.
Si një nga problemet që pengon vendet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së përmendet vazhdimisht presioni ndaj mediave. Kjo u tha disa herë edhe në forumet e zhvilluara në Bundestag. Për problemet me të cilat përballen mediat foli Xhabir Memedi Deralla, gazetar dhe aktivist për të drejtat e njeriut nga Maqedonia e Veriut, fitues i sivjetshëm i Çmimit të Solidaritetit të Gazetarëve të Shoqatës për Evropën Juglindore (SOG)./DW/