Analiza/TV Klan thith me shumë reklama se TCH, ndërsa nga agjencitë publicitare, më i madhi është “Le Spot Group”
(Marr me shkurtime nga Monitor.al)
Tregu i reklamave, televizionet qarkulluan 55 milionë euro
Ndonëse nuk ka matje të sakta, nga të dhënat indirekte të xhirove të televizioneve dhe anketës së ndërmarrjeve të INSTAT vlerësohet se tregu i reklamave është rritur vit pas viti.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se “Aktiviteti i publikimeve dhe prodhimeve të programeve” arriti në vitin 2022 në 7.6 miliardë lekë, ose rreth 72 milionë euro.
Ky është niveli më i lartë i të ardhurave që është regjistruar ndonjëherë nga mediat në vend. Në krahasim me një vit më parë, qarkullimi vjetor i këtij segmenti është rritur me rreth 12%. Në krahasim me vitin 2014, kur ishte 30 milionë euro, tregu i mediave mëse është dyfishuar.
Peshën kryesore në tregun mediatik e mbajnë televizionet. Qarkullimi vjetor i 12 televizioneve më të mëdha në vend në vitin 2022 ishte 5.9 miliardë lekë, ose 55 milionë euro, sipas të dhënave nga bilancet që televizionet kanë dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Në raport me vitin e mëparshëm, të ardhurat u tkurrën lehtë me 5%, si rrjedhojë e rënies së xhiros së bizneseve të vogla.
Televizionet gjenerojnë në këtë mënyrë rreth 76% të të ardhurave të aktivitetit të publikimeve dhe prodhimeve të programeve. Pjesa tjetër shkon për median e shkruar, atë online, radion.
Në segmentin e televizioneve, Klan dhe Top Channel vijojnë të dominojnë, me mbi 60% të totalit të qarkullimit dhe janë të vetmit që raportojnë nivele xhirosh nga 12-18 milionë euro. Për operatorët e tjerë kufiri maksimal është rreth 4 milionë euro.
“TV Klan” ka vijuar të jetë operatori më i madh televiziv në vend, sipas të ardhurave, duke raportuar një qarkullim vjetor prej gati 2.1 miliardë lekësh në 2022-n, me një rritje të lehtë prej 1.4% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave zyrtare të bilancit.
“Top Channel” ka mbajtur sërish vendin e dytë, me të ardhura totale prej 1.44 miliardë lekësh. Në krahasim me një vit më parë, ky televizion ka shënuar një tkurrje të të ardhurave me 9%.
“Vizion Plus” është ri ngjitur në vendin e tretë, pasi në 2021 zbriti në të katërtin. Të ardhurat e tij ishin 436 milionë lekë, me një zgjerim prej 20.4%, duke pasur ecurinë më të mirë në këtë segment.
“TV A 2” zbriti në vendin e katërt nga i treti që ishte një vit më parë. Të ardhurat u rritën me 6% në 414 milionë lekë.
Përmes agjencive publicitare kanalizohet rreth 60-70% e buxheteve të marketingut.
Nga agjencitë, më i madhi është “Le Spot Group”, me të ardhura 1.86 miliardë lekë në vitin 2022, sipas të dhënave të QKB-së.
Landmark Communication raportoi 338 milionë lekë të ardhura.
Gogel është i treti më i madh, me xhiro prej 315 milionë lekësh, të ndjekur nga Trium Communications (253 milionë lekë) dhe New Moment (224 milionë lekë).
/shkruar nga Nertila Maho/