Andi Bejtja: Kisha e të gjithë besimtarëve. Inaugurohet Shenjtorja e Shna Ndout
(Botuar me 3 Maj 1995 në KOHA JONE)
Reportazh nga vendi i mrekullive
Nga Andi Bejtja-
Më shumë se 5 mijë besimtarë të religjioneve të ndryshme nga e gjithë Shqipëria, morën pjesë dje në inaugurimin e shenjtores së Shna Ndout, në malin e Sebastës, 4 kilometra larg Lacit, duke e përshkuar këtë rrugë malore me këmbë përreth 1 orë e gjysmë. Shenjtoren katolike rreth 720-vjeçare të njohur si “shenjtorja e mrekullive” për shkak se shumë njerëz dëshmojnë se kanë shëruar sëmundje të ndryshme vetëm me anë të lutjeve, e kanë shkelur historikisht jo vetëm këmbët e katolikëve, por edhe të myslimanëve e ortodoksëve. “Është një rast i rrallë në botë kur në një kishë vijnë besimtarë të të gjitha feve”- thotë Ipeshkvi i fesë katolike shqiptare Imzot Rrok Mirdita. “Shna Ndou është kthyer në shenjtor i të gjithëve duke dëshmuar edhe një herë tolerancën fetare që ekziston në Shqipëri”. Besimtarët të martën ose të shtunën duke ju ngjitur malit ndalojnë për t’u lutur në ato shkëmbinj ku besohet se 700 vjet më parë kanë ndaluar për të pushuar shenjtorët. Ata prekin shkëmbinjtë i puthin madje heqin dhe këpucët për të puqur gjurmët e tyre me gjurmët e shenjtorëve françeskanë. Në një shkëmb pak metra se të ngjitesh për në Kishë ndodhet një gropë e vogël të cilën besimtarë të ndryshëm e prekin me kokë duke besuar se mund të shërojnë dhimbjen. Mark Ndreka, 34 vjeç me besim katolik nga Laçi thotë : “unë gjithmonë kam dhimbje koke dhe gjithmonë vij këtu e dhimbja më është zhdukur”. Ai nuk di ta shpjegojë këtë fenomen por thotë se me këto gjëra nuk mund të bëhet shaka. Kisha e sapo inauguruar është mbushur plot me besimtarë, kryesisht të sëmurë, të cilët shtrihen në dysheme dhe prekin ikonat me shpresë se do shërohen. Duke Markgjini katolike ka ardhur me djalin e saj 6-vjeçar nga Tropoja duke besuar në mrekullinë çudibërëse. Ajo vuan nga disa -sëmundje dhe ka marrë me vete batanije me të cilat prek ikonat, për të mbuluar më pas me këto batanije veten dhe fëmijët. “Kam pasur 13 vjet dhimbje koke dhe dhimbje trupi dhe vetëm kur kam ardhur këtu para 2 vjetësh më kanë pushuar” thotë Markgjini. “Unë me të vërtetë besoj se ky është një vend i Shenjtë”. Përveç katolikëve kështu besojnë dhe myslimanët. Ndërkohë vihet re se përqindja e ortodoksëve që vijnë në këtë vend të shenjtë është më e pakët se ajo e besimtarëve të tjerë – thonë fretërit françeskanë të Shenjtores të cilët nuk mund ta shpjegojnë qartë këtë fenomen. 65-vjeçare File Meka, myslimane nga Durrësi ka vuajtur për një kohë të gjatë nga paraliza e këmbëve. Por që kur një vit më parë erdhi në Shna Ndou këmbët e saj kanë filluar të përmirësohen. “Shkoj dhe në Xhami, por më tepër dëshirë kam të vij këtu”- thotë Meka. “I lutem Zotit për të më sjellë fuqinë time dhe për fëmijët e mi. Zoti më dëgjon më shumë këtu se në çdo vend tjetër që unë i lutem”. Shumë njerëz dëshmojnë se kanë parë me sytë mrekullitë e shërimit. Një nga këta është edhe punonjësi i Shenjtores, Marin Rabeli, i cili ka 4 vjet që përkujdeset për vendin e shenjtë. “E kam parë me sytë e mi kur para dy vjetësh një 27-vjeçar i paralizuar, pas disa lutjesh filloi të ecë”- thotë Rabeli. Mrekullitë e ndodhura në vendin e shenjtë shtohen, por shpeshherë dhe ekzagjerohen, bëhen legjenda. Duket se mrekullia ka të bëjë më tepër me forcën e besimit. Ndoshta shpjegimi për këtë dukuri janë fjalët e një plaku 84 vjeçar nga Shkodra: “Në qoftë se shkon tek doktori duhet të besosh së pari se do të shërohesh, por nuk besove se mund të shërohesh nuk ka ilaç në botë që mund të të bëjë derman”. Plaku që ka ardhur vazhdimisht fshehtas në vendin e shenjtë dhe gjatë kohës së komunizmit thotë “se lutjet nuk bënin derman gjatë kohës së diktaturës”. Në disa vite të regjimit komunist Shenjtorja nuk pati shumë shqetësime. Kështu, gjatë provincialatit të P. Dadit ( 1952-1955) u bënë përpjekje për ndarjen e administratës së famullisë së Laçit prej asaj së Shenjtores së Sebastës. Por në Qershorin e vitit 1966 Qeveria komuniste me anë të “shtabit revolucionar për zhdukjen e bestytnive fetare dhe zakoneve prapanike” e shkatërroi Kishën duke i vënë eksploziv. Zona përreth u shpall “zonë e ndaluar” dhe “zonë ushtarake”. Për tre muaj mali u patrullua nga forca ushtarake dhe nga “forcat vullnetare”. Megjithatë sërish besimtarë shkonin fshehtas në vendin e shenjtë nga ana tjetër e malit duke kaluar ditë të tëra të fshehur në pyje. Një nga këta njerëz është edhe 62-vjeçari Gjon Pasha i cili tani punon për Kishën. Ai kishte vajtur në kishë që në fëmijëri nga viti 1945-1966 dhe më pas shkonte 1-2 herë në muaj ndoshta duke rrezikuar dhe kokën. “Shkoja duke i rënë nga mbrapa malit, lutesha, lija disa para nëpër guva si dhe njerëzit e tjerë dhe ikja po fshehtas. Në këtë mënyrë vazhdoja të qetësoja shpirtin tim” – thotë Pasha. Kjo epokë e errët mbaroi më 1990 kur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga të gjitha religjonet vërshuan besimtarët duke kaluar barrierat e policëve dhe ushtarëve. Radio Tirana duke mos pasur mundësi ta fshihte këtë ngjarje dha lajmin : “Në malin e Laçit dje u organizua një piknik i madh popullor nga të gjitha anët e Shqipërisë ku morën pjesë mbi 60 mijë veta”. Që nga kjo ditë filluan përpjekjet për rindërtimin e Kishës që përfundoi dje kryesisht në sajë të fondeve të Institutit Françeskan të Bolonjës. Një burim i mirë të ardhurash kanë qenë dhe paratë e hedhura nga besimtarët gjatë viteve të fundit. Një punonjës i Shenjtores tha se vetëm ditën e djeshme mund të jenë grumbulluar rreth 1 milion lekë (të vjetra). Paratë përdoren për të mbajtur administratën kishtare, vëllezërit françeskanë dhe për të ndihmua kishat e tjera më të varfra. Shenjtorja nuk është bekuar vetëm për besimtarët por edhe për tregtarët e Laçit, të cilat e kanë mbushur rrugën malore prej 4 kilometrash me tezga deri në derën e Kishës, duke mos respektuar tabelat ku shkruhej se ndalohej tregtia në vendin e Shenjtë. Besimtarët e sotëm, ndryshe nga vëllezërit françeskanë të cilët erdhën në këtë mal rreth vitin 1240 duke vuajtur për një pikë ujë, ka mundësi të pinë Coca-cola dhe Fanta gjatë rrugës, madje të bëjnë dhe një foto çasti në derën me Kryq të Shenjtores për 200 lekë.
Andi Bejtja