Andi Bejtja: Mbi dosjet, përveç “pseudonimeve” duhet të flasë edhe ligji
Nga Andi Bejtja-
(Botuar me 21 Prill 1994)
Del edhe një herë në skenë problemi i dosjeve, por këtë herë jo në kafene. Është Preç Zogaj ish-drejtori i gazetës “Aleanca”që nëpërmjet faqeve të gazetës së tij, prek kapakun e një kazani të zi që akoma nuk dihet se çfarë ka brenda. Nëpërmjet një letre të hapur drejtuar kryesisë së Kuvendit Popullor autori duke folur dhe për ftesën që ish sigurimi i shtetit i ka bërë në moshën e adoleshencës për të bashkëpunuar kërkon një ligj të drejtë për dosjet që sipas tij duhet të konsistojnë në atë “se kush ka kryer krime të liga dhe kush jo”. Ndonëse duhet përshëndetur akti tepër qytetar i Zogajt, duhet thënë se problemi i dosjeve është më i shumëfaqshëm dhe më i madh “se kush ka bërë krime të liga ose jo”. Çështja kryesore në vendet postkomuniste të Lindjes në lidhje me këtë problem ka konsistuar në disa drejtime të cilat kanë qenë bazë për t’ju përgjigjur pyetjes nëse duhen hapur apo nuk duhen hapur dosjet. Këto mund të përmblidhen: 1) nxjerrje e kriminelëve që kanë kryer krime direkte ndaj viktimave, në mënyrë që të restaurohet dinjiteti i tyre dhe 2) shmangia e mëtejshme e dhunës dhe violencës (hakmarrjes) në mënyrë që të mos pengohet ecja përpara e shoqërisë në periudhën delikate të tranzicionit.
Hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit
Në kërkim të së vërtetës mbi të kaluarën, sidomos për sa i përket akteve kriminale dhe kolaboracionit, përdorimi i dosjeve të aparatit të sigurimit të regjimit të mëparshëm lind probleme të shumta dhe të shumëfishta. Regjimet represive mbajnë dosje personale me qëllim që të regjistrojnë implikacion kompromentues mbi individët. Është mjaft e vështirë të përcaktosh se deri ku ato përmbajnë shtrembërime ose gënjeshtra. Pasi regjimit totalitar bie, shumë dosje mund të humbasin ose të vidhen. Në lidhje me këtë në një intervistë që pata rastin t’i marr në Poloni ish Ministrit të Brendshëm Polak Kozlovski, ai shprehet: “Jam kundër shpalljes së këtyre dokumenteve për disa arsye. Së pari arkivat e Ministrisë së Brendshme nuk janë kompletuar dhe janë shkatërruar disa herë. Në vitin 1956 ka ndodhur një djegie masive e dokumenteve. Me kalimin e kohës çdo qeveri digjte diçka. Nga ana tjetër nuk mund të thuhet se kush nuk ka gjurmë nuk mund të ketë qenë”. Në këtë kontekst, veç të tjerash, të përdorësh dosjet për të demaskuar kriminelët ose bashkëpunëtorët, sjell rrezikun që barra e provës të kalojë nga akuzuesit tek i akuzuari. Për arsye të çështjeve të shumta mund të bëhet presion “për të bërë shembull disa persona”. Parë nga një këndvështrim duke pasur parasysh çka thamë më sipër, përdorimi i dosjeve të sigurimit për të kërkuar drejtësinë është një kthim prapa nga pikëpamje sociale për arsye të përçarjes që mund të mbjellin. Nga ana tjetër individët e dëmtuar kanë një nevojë të ethshme psikologjike për të mësuar se çfarë u ka ndodhur dhe nga kush edhe pse, ndërsa shoqëria në tërësi ka nevojë për t’u larguar sa më shumë nga kjo e kaluar e hidhur. Kjo sjell si domosdoshmëri dallimin midis të drejtës për të ditur dhe hakmarrjes, drejtësisë dhe shpagimit.
Mënjanimi i ish-spiunëve të sigurimit nga pushteti dhe propozimi i P. Tetës
Rreth një viti më parë deputeti i “Aleancës Demokratike” doli me një propozim në Parlamentin Shqiptar në lidhje me dosjet. Ky propozim konsistonte në faktin që çdo deputet në bazë të një ligji që kishte të drejtë nëse dëshironte të hapte dosjen e tij për t’i prerë rrugën manipulimeve të shtypit shqiptar, sidomos atij të pozitës që i ka bërë pjesëtarë të stafit të vet disa emra pseudonimesh. Ky ligj lidhet së pari me atë që quhet “diskualifikim”, mënjanimin e ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit nga pjesëmarrja në aparatin shtetëror dhe instancat më të larta të shtetit. Të pengosh ish-elitat dhe ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit nga mbajtja e posteve me influencë është diçka e nevojshme për të përshpejtuar tranzicionin. Në qoftë se do të miratohej propozimi i Tetës do të shënohej një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, ndonëse edhe procesi i “diskualifikimit”apo i ashtuquajturi “lustracion” sërish shikohet me dyshim në shoqëritë më të civilizuara postkomuniste se sa e jona. Procesi “diskualifikimit” në shumë raste ka qenë jo shumë produktiv, pasi ai në vetvete po nuk u kuptua drejt, prish kohezionin social, çka do të thotë se vonon ecjen përpara të shoqërisë duke privuar në bazë të ligjit një grup qytetarësh nga disa të drejta që i gëzojnë të tjerët. Gjithashtu ka rrezik që të shkelet një nga parimet bazë të demokracisë. “Individët duhet të dënohen për krimet që kanë kryer, por jo për besimet e tyre politike”. Kjo vlen sidomos për ish elitat, që duhet thënë përgjithësisht në Shqipëri janë mënjanuar. Por gjithsesi mosmiratimi i propozimit të Tetës nga Parlamenti Shqiptar (duke pasur gjithnjë parasysh ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit, jo elitat e mirëfillta) kanë lënë shteg për manipulime të mëdha të shtypit çka mund të sjellë edhe prishjen e një ekuilibri social.
RD dhe Dosjet
Në këtë drejtim një rol aspak konstruktiv po luan gazeta e pozitës RD. Në faqet e saj ka kohë që vallëzojnë emra të ndryshëm pseudonimesh që edhe pse mund të jenë të vërtetë, sjellin një çoroditje përçarëse në opinionin publik duke rrezikuar me të vërtetë ekuilibrin social. Në faqet e kësaj gazete nëpërmjet “pseudonimit”nuk sulmohen vetëm opozitarët e shpallur me kohë por edhe ata deputetë apo individë që largohen nga radhët e PD. Kështu ndodhi me deputetin Kalakula, kur pak ditë të shkëputjes së tij nga grupi parlamentar i PD i botohet një faksimile tepër e dyshimtë ku vihet në pikëpyetje e kaluara e tij. Kështu ndodh edhe me deputetin Baleta të cilit i përmendet “stilografi” pas largimit nga grupi parlamentar i PD ndërkohë që pak javë më parë deputeti në fjalë ishte përfaqësues i Shqipërisë në marrëveshjen e nismës së Detit të Zi. Këto mënyra të etiketuara më pas me një deklaratë të Baletës në Parlament “si tipike ish-sigurimse”, tregojnë qartë se dosjet po përdoren si presion ndaj opozitarëve duke e futur luftën politike në hulli të padëshiruara. Një çështje delikate në lidhje me këtë problem është dhe përdorimi i emrave të personave të akuzuar si ish bashkëpunëtor të sigurimit në numrin shumës. Në këtë mënyrë deputeti apo individi i akuzuar e mban gunën e ish bashkëpunëtorit në kurriz, ndërkohë që spiuni i sigurimit mund të ketë qenë ndonjë i afërm i tij me të njëjtin mbiemër.
Të shikojmë përpara
Të gjitha pëshpëritjet dhe publikimet e pseudonimeve veç të këqijave që mbjellin, janë mbi të gjitha të paligjshme dhe sjellin si domosdoshmëri aprovimin e një ligji të drejtë, çka do të thotë aprovimin e një ligji që të shikojë përpara. Megjithëse gama e abuzimeve të kryera nën regjimet represive që nga Amerika Latine e deri në Evropën Lindore ndryshon në mënyrë të konsiderueshme vihet re një qëndrim i përbashkët midis shtetarëve të këtyre vendeve pas rënies së regjimeve totalitare. Ky qëndrim i përbashkët konsiston në atë që të gjithë janë dakord se shteti ligjor duhet të ketë precedencë në raport me drejtësinë politike. Drejtësia politike do të ishte që të gjithë ata në një farë mënyre kanë qenë të përfshirë në rrjetin informativ të ish-regjimeve totalitare të ndëshkohen. Por kjo krijon një problem shumë evident ligjor të cilin nuk ka nevojë të jesh jurist ta vësh re. Është fjala për cenimin e nocionit të barazisë midis shtetasve. Gjithashtu për Shqipërinë mund të thuhet se dalin probleme specifike që specifikohen dhe më tej. Për shkak të një diktature nga më të fortat e botës, shpesh dhe vetë të akuzuarit kanë qenë në një farë mënyrë viktima të sistemit. Këtë e tregon qartë edhe rasti i Zogajt. Në një farë mënyre e gjithë shoqëria ka qenë e dëmtuar. Mund të dallojmë dy lloj trajtimesh juridike që i bëhen problemit të dosjeve në vendet postdiktatoriale. Njëri variant është varianti latino-amerikan i cili është i frymëzuar nga parimet e pajtimit social. Kështu në Kili është ngritur një komision kombëtar për të vërtetën dhe pajtimin i cili ka zgjedhur si formë ndëshkimi vetëm tregimin publik të së vërtetës nga ana e të akuzuarit. Kjo është pak a shumë e vërtetë për të gjitha vendet e Amerikës Latine. Ndërsa në vendet post komuniste të Evropës Lindore është ndjekur një rrugë më represive. Në Hungari është bërë përpjekje e pasuksesshme për të zhdukur afatet e parashikimit për krimet e kryera gjatë periudhës komuniste. Në Gjermani të akuzuarve ju bëhet një gjykim i dyfishtë; së pari sipas ligjit të vjetër Gjermano-Lindor dhe së dyti sipas ligjeve aktuale Federale të Gjermanisë. Në Poloni dhe Çekosllovaki janë sjellë në fuqi të ashtuquajturat ligje të lustracionit. Siç shihet jemi vendi i vetëm që nuk kemi ligj për problemin e dosjeve dhe fati i këtij problemi tepër të rëndësishëm social e politik është në dorën e baticave e zbaticave politike në formën e sulmeve të paprincipta gazetareske, pas të cilave qëndrojnë siluetat e politikanëve.
Andi Bejtja