Andi Bejtja: PS e paaftë për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme
(Botuar me 13 Janar 1995 në KOHA JONE)
Nga Andi Bejtja-
Partia Socialiste e filloi dje vitin 1995 me një konferencë shtypi rutinë, pothuajse të ngjashme me shumë konferenca të tjera gjatë dy vjetëve të fundit. Tema e konferencës është: “Situata politike në vend dhe qëndrimet e PS për vitin 1995”. Duket se socialistët nuk kishin harxhuar shumë kohë për të përgatitur tekstin e deklaratës e cila mund të ishte e përshtatshme edhe për një vit më parë. Si gjithmonë lajtmotivi i konferencës – zgjedhjet e parakohshme. “Në sfondin e pashmangshmërinë e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme, PS do të synojë që të bindë elektoratin shqiptar para dhe gjatë fushatës elektorale, për aftësitë e saj qeverisëse, për seriozitetin e alternativave që ajo i ofron vendit, që të ndalet kaosi, destabiliteti, strategjia e shkatërrimeve dhe e bllokimit të prodhimit, që sistemi demokratik i vendosur në Shqipëri të mos ketë kthim prapa por të ndjekë domosdoshmërish rrugën e progresit. Për këtë PS ofron ide të reja, zgjidhje të reja, opsione realiste” – thuhet në deklaratë. Por para se PS t’i duhet “të bindë elektoratin për aftësinë e saj qeverisëse, i duhen zgjedhjet e parakohshme, të cilat kanë dy vjet që nuk po i sjellin dot, edhe kur nuk ka drita, edhe kur nuk ka ujë, edhe kur rriten taksat, edhe kur dështojnë referendumet. Si do t’i shkaktojë zgjedhjet e parakohshme PS? Këtë nuk e thotë deklarata, as liderët e PS. Politika logoriste e Presidentit dhe e PD e ka bllokuar me kohë Partinë Socialiste, e cila, s’ka mundur të ketë fitore tjetër përveç dështimeve të PD.
Nënkryetari i PS, zoti Servet Pëllumbi, pohoi dje disi me keqardhje se me numrin e deputetëve socialistë në Parlament nuk mund të shkaktohen zgjedhje të parakohshme, por socialistët bashkë me kryetarin e tyre të burgosur duhet ta kujtojnë fushatën indiferente që zhvilluan para zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, atë fushatë që nga mënyra se si e zhvilluan i bënë shumë tifozë të tyre të dyshonin edhe për një marrëveshje të fshehtë midis krerëve socialistë dhe demokratëve që sot janë në pushtet. Socialistët kanë kohë që nuk ndjehen, kanë kohë që nuk mbajnë mitingje apo forma të tjera demokratike për të provokuar zgjedhjet e parakohshme, të cilat janë mënyra e vetme për të realizuar objektivat e tyre dhe për të nxjerrë jashtë mureve të qelisë kryetarin e burgosur. Me konferenca shtypi, ata nuk mund të kënaqin jo vetëm elektoratin e tyre, por madje as gazetarët e gazetës së tyre, njërit prej të cilëve pyeti naivisht dje në konferencën e shtypit: “Pse nuk organizohen demonstrata…?” Disa nga liderët e PS shprehen se sot është e vështirë të mbledhësh njerëzit në rrugë si më parë. Por pse ndodh kështu kur në vetë konstatimet dhe deklaratat e socialistëve realiteti i sotëm shqiptar jepet me tone të zeza. “Kriza ekonomike e zgjatur, ecuria jo normale e reformës dhe veçanërisht i privatizimit, si elementi themelor i saj, rënia 20 për qind e prodhimit industrial në krahasim me 1993, papunësia masive, borxhi i jashtëm, deficiti buxhetor, rritja e çmimeve dhe ulja e nivelit të jetesës, mungesa e investimeve etj., kanë krijuar një situatë tepër të rënduar e dramatike në vend”. Vallë Partia Socialiste po e vuan reformën më shumë se vetë elektorati shqiptar? Partia Socialiste qëkur humbi zgjedhjet në Mars 1992 dhe sidomos pas burgosjes së liderit Nano, ka pasur vetëm një armik dhe vetëm një tabelë qitjeje : PD dhe Berishën. Është shumë e vërtetë ajo që tha gjatë konferencës S. Pëllumbi se “intoleranca e partisë në pushtet bën që raportet pozitë-opozitë të vazhdojnë të jenë konfliktuese”, por për të dalë nga ky konflikt, i cili tani mund të zgjidhjet vetëm nga zgjedhjet e parakohshme, nuk mjafton vetëm ndeshja kokë më kokë me partinë në pushtet. Duket se socialistët e kanë harruar se kush e përmbysi Qeverinë Nano 2. Ndonëse Partia Demokratike në atë periudhë po fuqizohej ishin sindikatat ato që e bënë qeverinë të jepte shpirt brenda pak ditësh. Socialistët e kanë harruar këtë mekanizëm dhe duke u marrë vetëm me PD, atyre nuk u mbeti gjë tjetër veçse të vështronin në heshtje eliminimin dhe shuarjen e sindikatave apo zhvendosjen e tyre nën sqetullën e pushtetit. Lufta e ashpër politike ndoshta i ka bërë socialistët të harrojnë dhe klasën e biznesmenëve të rinj, sidomos ata të mesëm, të cilët kanë një rol vendimtar në jetën ekonomike të vendit. Në të gjithë fushatat parazgjedhore në botë, opozita, puna e parë që bën ofron nëpërmjet kontratave gojore, propozimeve për ulje taksash, biznesmenët e mesëm. Një politikan i njohur gjerman shprehet: “Puna e parë për një forcë politike që kërkon të vijë në pushtet është krijimi i marrëdhënieve të mira (nëpërmjet propozimeve dhe premtimeve reciproke) midis sindikatave dhe biznesmenëve të pavarur që kanë influencë në jetën ekonomike të vendit”. Ndërsa për PS, si forcë e majtë e shoqërisë shqiptare mund të jetë paksa e vështirë vendosja e këtyre lloj marrëdhëniesh me biznesmenët e mëdhenj (në Shqipëri nuk ka shumë të tillë), është plotësisht i mundshëm teorikisht dhe praktikisht “pazari”me biznesmenët e mesëm dhe sidomos me sindikatat, të cilat për nga pozicionimi afrohen me të majtën. Partia Socialiste për fatin e saj të keq nuk ka marrëdhënie aq të mira me asnjë nga këto mekanizma, të cilat me situatën e krijuar në Shqipëri mund t’i sjellin zgjedhjet e parakohshme brenda rregullave demokratike e kuadrit ligjor. Tashmë për PS është vonë t’i krijojë këto marrëdhënie për të arritur objektivin e saj kryesor: zgjedhjet e parakohshme. E vetmja forcë politike shqiptare që mund t’i sjellë zgjedhjet e parakohshme është vetë PD. Socialistëve nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ndjekin me interesim zhvillimet aktuale në këtë Partinë Demokratike dhe të shpresojnë. Ndoshta kjo është dhe njëra nga arsyet që në deklaratën e djeshme të PS midis të tjerave thuhet: “Për këtë ne i bëjmë thirrje edhe vetë PD, të gjithë atyre që u dhimbset demokracia që arritjet e saj të deritanishme që të distancohen nga aventurierët politikë. Ne u bëjmë thirrje që të mendojnë seriozisht për të ardhmen e Shqipërisë dhe për vetë ekzistencën e PD e të pluralizmit në Shqipëri”.
Andi Bejtja