Andon Zako Çajupi, rilindasi që kontribuo me penë dhe me vepër për çështjen kombëtare shqiptare

Rilindasi Andon Zako Çajup

Nga Albert Vataj

Në arkitekturën shpirtërore të kombit shqiptar, në themelin e ndërgjegjes sonë atdhetare dhe të letërsisë si instrument zgjimi e mobilizimi, figura e Andon Zako Çajupit qëndron si një majë e ndritur, e vetëtimtë dhe fshikulluese njëherazi. Nuk mund të përfytyrohet historia e Rilindjes Kombëtare pa këtë mendje të mprehtë dhe zemërzjarrtë që, përmes fjalës së gdhendur me flakën e dashurisë për atdheun dhe urrejtjes së thellë ndaj robërisë, krijoi një korpus veprash që frymëzojnë ende sot.
Letërsia shqipe i ka borxh jo vetëm për zërin poetik që ia shtoi identitetit të saj, por për forcën politike që mbarti brenda saj, një letërsi që nuk përkëdhel, por kushtron; që nuk zbavit, por zgjon; që nuk stolis, por shkund. Çajupi nuk ishte thjesht një poet, por një armë e letrarisë së lirë, një shigjetar që synonte drejt në plagët e kombit dhe një lajmëtar që kërkonte përmes artit të përvijonte një Shqipëri tjetër – të vetëdijshme, të çliruar, të përparuar.
Lindur më 27 mars 1866 në Sheper të Zagorisë, Çajupi nuk e lidhi jetën me konfortin apo suksesin personal. Ai zgjodhi vështirësinë e mërgimit, trysninë e përkushtimit dhe zërin e zemrës, për ta kthyer mërgimin në një tribunë të pashembullt të patriotizmit. Nga Egjipti ku jetoi e veproi deri në vdekje më 11 korrik 1930, ai mbeti i lidhur shpirtërisht me një Shqipëri që nuk e pa më me sy, por që e mbajti gjallë me zemër e penë.
Rruga e tij jetësore përshkon një hark formues të rëndësishëm: nga Liceu francez në Egjipt te doktoratura në të drejtë në Zvicër, për të përfunduar në arenën e nxehtë të çështjes kombëtare ku do të ishte ndër zërat më të guximshëm. Ndërhyrjet e tij publike, si pamfleti “Klubi i Selanikut” (1909), ishin grushta të drejtpërdrejtë ndaj servilizmit dhe tradhtisë ndaj çështjes kombëtare.
Si poet, Çajupi nuk u mjaftua me bukurinë formale të vargut, ai e bëri atë flakadan. Vepra “Baba Tomorri” (1902) nuk është vetëm një përmbledhje poezish, por një testament frymëzues i betimit ndaj Shqipërisë. Me vargje si “Mëmëdheu”, “Ç’jemi?… Ku kemi lerë?”, “Besa-Besën”, ai shndërroi poezinë në thirrje lufte, në grishje për ndërgjegjësim dhe në akt identitar.
Satira e tij është rrufe, dhembje dhe tallje e mençur. Poezitë si “Sulltani”, “Punërat e Perëndisë”, “Greku dhe shqiptari” janë aktakuza që rrëzojnë perandori dhe mitologji të rreme, që i bëjnë thirrje arsyes së kombit të mos jetë më rob i frikës dhe verbërisë.
Në dramaturgji, Çajupi hodhi themelet e komedisë shqiptare me vepra që jo vetëm argëtuan, por edukuan e kritikuan. “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr” dhe “Pas vdekjes” janë më shumë se komedi – janë portrete të gjalla të mentalitetit të mykur dhe politikës së korruptuar, të veshura me humorin therës të një dijetari që e njeh thellë shpirtin shqiptar.
Poema “Baba Musa Lakuriq”, që mbeti dorëshkrim, përfaqëson kulmin e mendimit të tij politik dhe filozofik. Në këtë vepër, ai i bëri një parodi të fuqishme hipokrizisë fetare dhe trajtoi me guxim problemet sociale, me një frymë të hapur demokratike dhe ateiste, që e bën pararendës të mendimit modern kritik në Shqipëri.
Si përkthyes, Çajupi nuk importoi vetëm fjalë, por frymë. Përkthimet e tij nga La Fontaine dhe poetët indianë në përmbledhjet “Përralla të zgjedhura” dhe “Lulet e Hindit” i sollën letërsisë shqipe një dimension universal, duke i dhënë formës shqiptare ide të mëdha për shoqërinë, drejtësinë, njeriun.
Në tërësinë e veprës së tij, nga satira e mprehtë te patriotizmi i ngashënjyer, nga komedia therëse te lirika e brishtë, Andon Zako Çajupi nuk është vetëm një autor, por një epokë. Ai është një simfoni e dhimbjes dhe shpresës kombëtare, një ndërgjegje që nuk heshti kurrë, një forcë që kërkoi të ndryshojë shoqërinë jo me dhunë, por me vetëdije.
Nëse Rilindja Kombëtare kishte nevojë për shpatë dhe penë, Çajupi ishte të dyja. Ai nuk vdiq në heshtje, ai mbetet zëri që përsëritet në ndërgjegjen tonë, sa herë që kujtojmë se çfarë do të thotë të duash një komb dhe të luftosh për të, me fjalë, me mendim, me shpirt.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?